Më shumë amerikanë po zhvendosen në Perëndim dhe Jug

Amerikanët janë joshur gjithmonë nga Perëndimi, por tani ata po i tërheq edhe Jugu.

Nga korriku 2017 deri në korrik 2018, më shumë njerëz u zhvendosën në distrikte të Perëndimit dhe Jugut të Shteteve të Bashkuara sesa u zhvendosën prej tyre, sipas Byrosë amerikane të Statistikave.

Në përgjithësi, rrethinat në Jug dhe Perëndim mirëpritën më shumë njerëz sesa rrethinat në pjesën qendrore dhe verilindore.

Teksasi është veçanërisht i preferuar. Katër distrikte të këtij shteti janë në dhjetë destinacionet e preferuara, mes së cilave Harris, pranë Hjustonit; Collin, rreth 64 kilometra larg Dallasit; Tarrant, pranë Forth Worthit; dhe Bexar, pranë San Antonios.

Demografi nga Teksasi, Lloyd Potter thotë se ka një arsye që banorët e rinj po shkojnë në zona jashtë distrikteve kryesore urbane të shtetit.

"Në këto distrikte po hapen shumë vende pune, por ka gjithashtu banesa të reja dhe të përballueshme dhe shkollat janë në përgjithësi të mira në krahahsim me ato në distriktet urbane", i tha ai Zërit të Amerikës në një mesazh me email.

Shumica e atyre që vendosen në Teksas, janë nga shtete përreth.

"Sipas Anketës së Komuniteteve Amerikane (2017), shumica shkojnë në Teksas nga Kalifornia, pastaj Ilinoi, Luiziana, Nju Jork, Misisipi dhe Pensilvenia", tha zoti Potter.

Edhe Florida është një destinacion i preferuar. Në vitin 2017, më shumë amerikanë u vendosën në Florida sesa në çdo shtet tjetër.

Përsa u takon zonave metropolitane, Dallas-Fort Worth-Arlington në Teksas, kishte rritjen më të madhe numerike nga korriku 2017 deri në korrik 2018, me 131,767 banorë të rinj. Zona Phoenix-Mesa-Scottsdale në Arizonë ishte e dyta, me një rritje prej 96,268 banorësh.

Nga 3,142 distrikte amerikane, 52 për qind e rritën popullsinë gjatë asaj periudhe kohore, pra më shumë njerëz u vendosën në ato distrikte sesa u larguan. Kjo shifër ishte e ngjashme më atë të një viti më parë.

Megjithatp, më shumë njerëz po vdesin sesa po lindin në rreth gjysmën e distrikteve amerikane. Kjo prirje ishte më e dukshme në rajonet e Verilindjes dhe në Apalashe, Florida dhe pjesën qendrore.