Analisti amerikan, Richard Kraemer, nga Instituti Kërkimor për Politika të Jashtme dhe Qendra Evropiane e Vlerave, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se nxitja e hakmarrjes politike në Mal të Zi nga koalicioni i ri qeverisës, nuk do të ndihmojë integrimin në Bashkimin Evropian të vendit të vogël ballkanik që tashmë është anëtar i NATO-s. Zoti Kraemer foli edhe për ndikimin e Kinës në Malin e Zi me 600 mijë banorë, që historikisht ka qenë i ndarë mes forcave politike pro-perëndimore dhe të atyre pro serbe dhe pro ruse.
Zëri i Amerikës: Pesëmbëdhjetë vjet më parë, pavarësia e Malit të Zi, u pa si kthesë drejt integrimeve euro-atlantike. Sot nga po shkon Mali i Zi?
Richard Kraemer: Çfarë mund të shohim pas përpjekjes për grusht shteti në tetor të vitit 2016, por edhe nga anketat e opinionit publik, Mali i Zi është ende në shumë fusha, shoqëri e ndarë. Nuk duhet një shumicë e madhe parlamentare, madje një shumë e vogël, për të qenë në gjendje për të ndryshuar në mënyrë dramatike orientimin e vendit dhe disa aktorë të marrin drejtim jodemokratik dhe madje edhe dëshirën për të vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe pavarësinë e Malit të Zi kundrejt ish unionit me Serbinë. Kjo është skajshmërisht shqetësuese. Ndërsa bota është shumë e preokupuar me COVID-19 dhe natyrisht, një administratë e re është në Uashington, kam frikë se Mali i Zi është lënë pas dore dhe është koha të ripërqendrohemi, jo vetëm për shkak të asaj çfarë duan demokratët në Mal të Zi për vendin e tyre, por edhe për shkak të përpjekjeve të komuniteti transatlantik për ta bërë Malin e Zi më të sigurt, më të përparuar dhe më të lirë.
Zëri i Amerikës: Për shumë analist Beogradi dhe Moska janë të gëzuar më zhvillimet në Malin e Zi. A kanë arsye për gëzim?
Richard Kraemer: Sigurisht që dikush mund ta karakterizojë si gëzim të tyre. Por, më duhet e parakohshme. Nëse e shohim koalicionin qeverisës, ai paraqet shumicën parlamentare, me një dallim prej 1 apo dy votash më së shumti. Mund të ndodhe një situatë, kur mund të nxiten zgjedhje të reja, nëse qeveria e re nuk është në gjendje të kujdeset për qytetarët e Malit të Zi, që nga COVID-i deri tek aspektet ekonomike dhe të sigurisë, mund të ndodhë, jo me siguri, por mund të ndodhë që mund të kthehet qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve, mbase me partitë boshnjake e shqiptare, por sërish me një shumicë të përbërë nga një grusht votash. Kjo është një nga arsyet që kemi paralajmëruar që në vitin 2018 dhe ende besoj që Mali i Zi nuk është se thjeshtë u bë pjesë e NATO-s dhe gjithçka përfundoi. Jo. në fakt ka shumë për të bërë. Sa për arsyet e Serbisë dhe udhëheqësit antidemokratik në Serbi dhe Rusi që të gëzohen, mbase kanë një bazë për të qenë optimist, por mendoj se është herët që të ndjehen të bindur se Mali i Zi po ecën në drejtimin e dëshiruar prej tyre.
Ndërsa bota është shumë e preokupuar me COVID-19 dhe natyrisht, një administratë e re është në Uashington, kam frikë se Mali i Zi është lënë pas dore .
Zëri i Amerikës: Si vendi anëtar i NATO-s më forcat e reja në pushtet sa mund të rrezikojë Mali i Zi aleancën, duke pasur parasysh se shumë analist pohojnë që rusët mund të shfrytëzojnë zyrtarët më miqësor ndaj tyre në Podgoricë, për të përfituar qasje në informacionet e besueshme të NATO-s.
Richard Kraemer: Ky ka qenë shqetësimi im për shumë vende anëtare për një kohë të gjatë. E kam kaluar një pjesë të karrierës sime duke punuar më shoqërinë civile turke dhe kam shkruar për Turqinë. E kemi parë çfarë ndodhi atje me aferën me (raketat) S-400 dhe sa e dëmshme ishte për Turqinë dhe rolin e vendin e saj në aleancë. Derisa kjo aferë po rridhte, shkëmbimi i informacioneve të zbulimit po pakësohej në atë masë sa zyrtarët turq në takime të ndryshme po trajtoheshin me ndjeshmëri të madhe, sepse kishte një pajtim se siç dukeshin gjerat në Turqi, mund të komprometohej siguria e NATO-s. Dikush mund të bëjë argumentime të njëjta për Hungarinë. Unë personalisht do ta bëja. Është vështirë të themi se Mali i Zi mund të ofrojë qasje në informacione të tilla. Por, duhet kuptuar se veprimet dhe fjalët kanë pasoja. Kur keni dikë si (kryeministri Zdravko) Krivokapiç, që duket si dikush me mëdyshje rreth një perspektive të një unioni të ardhshëm ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, ta zëmë, është pengesë e madhe për atë që duhet të jetë integrim efektiv i forcave ushtarake të Malit të Zi nën ombrellën e NATO-s. Dhe si rrjedhojë e kësaj, dikush mund të jetë anëtar i NATO-s me fjalë, nuk ka mekanizma për përjashtimin e një vendi nga aleanca, por Mali i Zi mund ta gjejë veten vetëm me emër deri në atë shkallë sa të mos dëshmojë besim dhe përgjegjësi në establishmentin ushtarak dhe të zbulimit.
Zëri i Amerikës: Si e shihni rrugëtimin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, meqë ai është parë si vendi favorit drejt anëtarësimit?
Richard Kraemer: Sundimi i ligjit dhe çështja e pretendimeve për korrupsion dhe krim të organizuar në Mal të Zi, për vlerësimin tim, është në zemër të asaj çfarë duhet të zgjidhet nëse Mali i Zi vazhdon në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Anketat e fundit që i kamë parë, tregojnë se shumica e qytetarëve të Malit të Zi e duan një gjë të tillë. Mbase jo aq sa disa vjet më parë, por ende shumica po. Kjo do të kërkojë vullnet të madh politik dhe pjekuri të atyre në qeveri. Kur shohim se çfarë po ndodhë muajt e fundit me amendamentimin e ligjit për ndjekjen e krimit të organizuar dhe si qeveria aktuale po sulmon Milivoje Katniçin (prokurori i posaçëm) për të cilin unë kam vetëm respekt dhe admirim dhe e konsideroj si një patriot të vërtetë, veprimet e tilla kanë pasoja. Dhe e pamë se në Bruksel pati reagime negative dhe thanë se zoti Katniç është një shërbyes civil i pavarur që po bën punën e tij. Nxitja e hakmarrjes politike nuk do t’ju fus në BE. A do të dëgjojnë udhëheqësit e Malit të Zi këto mesazhe dhe t’i kuptojnë ato, është çështje e tyre.
Zëri i Amerikës: Një lojtar i madh është tashmë në skenë në Malin e Zi, Kina, e cila është vënë në përpjekje të ushtrojë më shumë ndikim në rajon. Mali i Zi madje në një mënyrë është hipotekuar te kinezët. A është Kina problem real për Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi?
Richard Kraemer: Kryesisht po. Nuk dua të pohoj se çdo përfshirje qoftë publike apo private e Kinës në Ballkanin Perëndimor do të ketë rezultate të këqija për qytetarët e rajonit. Besoj se ka edhe interesa thjeshtë afariste dhe jopolitike. Por kur e shohim autostradën Tivar – Boljare, është një shembull shkollor se çfarë ndodhë kur shteti kinez përfshihet fuqishëm me një qeveri të një vendi tjetër në atë masë sa diplomacia e kurthit të borxheve, përdoret si mjet për të zgjeruar ndikimin gjithandej rajonit. Do të ishte në rregull sikur
...kur e shohim autostradën Tivar – Boljare, është një shembull shkollor se çfarë ndodhë kur shteti kinez përfshihet fuqishëm me një qeveri të një vendi tjetër në atë masë sa diplomacia e kurthit të borxheve, përdoret si mjet për të zgjeruar ndikimin gjithandej rajonit.
ky ndikim të mund të përshkruhej si pozitiv dhe demokratik, apo të paktën i parrezikshëm. Nuk mendoj se është një nga këto. Besoj se pikëpamja e Rusisë për Ballkanin Perëndimor për shkallën e ushtrimit të ndikimit atje, mbështetet në masën në të cilën ai rajon vazhdon të mbetet i paqëndrueshëm dhe i dëmtuar nga korrupsioni institucional, si dhe më ndarjet etnike si rrjedhojë e luftërave. Dhe kjo është në rregull për Rusinë, sepse kjo parandalon shtetet e Ballkanit që ende nuk janë integruar në komunitetin dhe institucionet transatlantike si NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, të jenë në gjendje të bëhen pjesë e komunitetit ku nuk është Rusia. Është ndryshe me Kinën, sepse ajo përfiton nga qëndrueshmëria, të paktën për faktin se agjenda e tyre është pikë së pari ekonomike dhe pastaj politike krahasuar me Rusinë, ndikimi i së cilës është ekonomik, politik por edhe kulturor në shumë aspekte dhe ka më shumë mundësi për përfshirje të ndryshme përfshirë angazhimin ushtarak ndërmjet Rusisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor sesa kinezët. Por, të kthehemi te ajo që njihet tashmë si “autostrada drejt asgjëkundit”. Kinezët dolën me këtë projekt dhe thanë se interesi prej 2 për qind nuk është i padrejtë dhe u përpoqën të lënë për të kuptuar se nuk është diplomaci e kurthit të borxheve, është vetëm një marrëveshje dhe qeveria e Malit të Zi duhet të paguajë. Nëse e shihni shumën e kredisë dhe shkallën e ekonomisë në Mal të Zi, po flasim për vlerësimet se një kilometër e autostradës 42 kilometëreshe është llogaritur 23,8 milion dollarë, për një vend me 650 mijë banorë, pa industri të zhvilluar, është befasuese për mua që qeveria e DPS-it ishte e vullnetshme të pranojë kushte të tilla. Megjithatë, e pranoj se kjo ka ndodhur para disa vitesh kur shumë evropianë, amerikanë, australianë, shumë njerëz të demokracive funksionale gjithandej në botë, kishin besim se Kina do të bëhet pjesë e komunitetit tregtar dhe investues dhe do të luajë sipas rregullave. Pra, kam njëfarë simpatie për qeverinë e DPS-it dhe situatën në të cilën është gjetur. Por, kushtet e kësaj kredie tregojnë se nuk kishte asgjë të padëmshme në atë që Kina po synonte. Kina e kishte shumë të qartë idenë se do të jetë në gjendje të marrë shumë nga Mali i Zi .madje duke marrë portin e Tivarit si pasojë. Kjo është vetëm keqdashëse.
Zëri i Amerikës: A po bën mjaftueshëm perëndimi dhe posaçërisht Uashingtoni për të ndihmuar Malin e Zi që të mos ndryshojë orientimin euro-atlantik?
Richard Karemer: Kur e shohim suksesin e “diplomacisë kineze të maskave” në Serbi përgjatë këtyre 15 apo 16 muajve, ky është një gol, një rezultat i madh. Fakti është se ata e bënë këtë, ndonëse ofruan aq pak ndihmë. Ju kujtohet marsi i vitit 2020, ishte një grusht ventilatorësh, 30 doktorë dhe pajisje mbrojtëse, por presidenti (Aleksandër) Vuçiç, zgjodhi të dalë në pistën e aeroportit, u soll ashtu si u soll, puthi flamurin kinez me një shfaqje lajkatuese për t’u bërë përshtypje kinezëve. Pashë një anketë të kohëve të fundit në Serbi. Opinionet për Kinën po ngrihen pothuajse në shkallën e njëjtë të opinioneve pozitive, që shumë serbë kanë për Rusinë, që është mbi 70 për qind, mbi dy të tretat e popullsisë. Kur e shikoni se sa tregti, investime dhe mbështetje për zhvillim ofrohen nga demokracitë evropiane dhe Shtetet e Bashkuara dhe kjo është çfarë janë opinionet e qytetarëve atje, kjo më flet se Uashingtoni, Brukseli, Londra, Berlini, nuk po bëjnë sa duhet. Duhet komunikuar me qytetarët dhe madje të jesh në gjendje t’u kundërvihesh qeverive lokale që nuk bëjnë sa duhet për të treguar se sa punë të mirë ke bërë.