Një gjykatë në Podgoricë, shpalli fajtorë dhe i dënoi më gjithsej 69 vjet e shtatë muaj heqje lirie, 14 persona të akuzuar për një përpjekje për grusht shteti në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2016, në Mal të Zi.
Your browser doesn’t support HTML5
Dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, u dënuan në mungesë me 15, përkatësisht 12 vjet heqje lirie. Ish shefi i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiç u dënua me tetë vjet, Predrag Bogiçeviç me 7 vjet, Nemanja Ristiç me 5 vjet heqje lirie, ndërsa dy udhëheqësit e opozitës Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç me nga 5 vjet heqje lirie.
Trupi gjykues i drejtuar nga Suzana Mugosha, dënoi Branka Miliçin me tre vjet heqje lirie, Dragan Maksiçin me një vit e 9 muaj, Milan Dushiç dhe Mihailo Çaxhenoviç u dënuan me nga një vit e 6 muaj dhe Kristina Hristiç u dënua me një vit heqje lirie me kusht.
Gjatë shpalljes së vendimit, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Mugosha, tha se “qëllimi i të akuzuarve ishte rrëzimi i dhunshëm i pushtetit në Mal të Zi".
Podgorica zyrtare ka akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse në Mal të Zi.
Dy rusët e dënuar në mungesë, sipas prokurorëve në Mal të Zi, janë oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit. Moska hedhur poshtë mundësinë që "mekanizmat shtetërorë rusë", të kenë qenë të përfshirë në përpjekje për grusht shteti.
Mali i Zi, vendi i vogël në breg të Detit Adriatik, u pavarësua në vitin 2006 dhe 11 vjet më pas u bë anëtari i 29-të i NATO-s, duke nxitur zemërimin e Moskës e cila kundërshton përfshirjen e Ballkanit në aleancën ushtarake perëndimore.