Parlamenti i Malit të Zi, miratoi mes protestash të dhunshme, një ligj për bashkësitë fetare, për të cilin opozita pro serbe druan se mund t'i marrë pronat e Kishës Ortodokse Serbe.
Në përpjekje për te penguar votimin, deputetët pro serb hodhën gaz lotsjellës, u përpoqën të shkulin mikrofonat dhe qëlluan edhe me shishe uji mbi deputetë tjerë.
Policia ndërhyri duke arrestuar 18 deputetët pro serb të cilët ishin kërcënuar me herët se do të përdorin të gjitha mjetet për të penguar votimin e ligjit. Më vonë policia njoftoi se ka lënë të lirë 15 prej tyre.
Derisa po debatohej për ligjin, mijëra veta përfshirë edhe klerikët e Kishës Serbe protestuan në disa qytete të Malit të Zi.
Ligji parasheh hartimin e një regjistri të të gjitha objekteve fetare dhe zonave që dikur ishin pronë e Mbretërisë së Pavarur të Malit të Zi, para se të bëhej pjesë e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, (që më vonë u shndërrua në Jugosllavi) që dominohej nga serbët në vitin 1918. Mbreti i atëhershëm Aleksandër Karaxhorxheviç, më 1919 e zhbëri kishën malazeze dhe krejt pasuria e saj i kaloi Kishës Ortodokse Serbe.
Presidenti pro-perëndimor i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se po nxitë politikat pro-serbe brenda vendit dhe po përpiqet të dëmtojë shtetësinë e tij.
Protesta e përleshje në Beograd kundër ligjit për liritë fetare në Mal të Zi
Disa qindra njerëz protestuan të premten mbrëma para ambasadës së Malit të Zi në Beograd, për të kundërshtuar miratimin e ligjit për liritë fetare në parlamentin e Malit të Zi. Një përleshje shpërtheu brenda parlamentit serb të premten, kur ligjvënësit e opozitës nacionaliste mbajtën parulla që kritikonin atë që ata quanin mungesë përgjigjeje nga Serbia për ngjarjet në Malin e Zi.
Mali i Zi u pavarësua në vitin 2006 dhe në vitin 2017 u bë vend anëtar i NATO-s. Vendi me rreth 620 mijë banorë është favorit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Për shumë politikanë dhe analistë malazez, rrumbullakimi i shtetësisë dhe qenies kombëtare, nënkupton edhe ripërtëritjen e Kishës autoqefale malazeze, pavarësia e së cilës thonë ata, do t’u jepte fund veprimtarive shkatërruese të Kishës Ortodokse Serbe.