Minatorët e Bulqizës ende pa marrëveshje me kompaninë ACR

  • Armand Mero

Minatorët e Bulqizës ende pa marrëveshje me kompaninë ACR

Në Shqipëri ka dështuar edhe sot përpjekja për arritjen e një marrëveshjeje mes minatorëve të Bulqizës dhe drejtuesve austriak të shoqërisë “Acr” e cila ka në administrim minierën.

Pas një takimi disa orësh në Tiranë, përfaqësuesit e minatorëve kanë dalë të pakënaqur duke deklaruar se nuk ishte arritur një rezultat dhe se drejtuesit e “Acr” sipas tyre nuk I kanë plotësuar të gjithë kërkesat.

Prej tre ditësh minatorët e Bulqizës kanë nisur grevën e dytë të urisë në një ambient pranë zyrave të “ACR”. Shoqëria sot ofroi një marrëveshje me 7 pika ku pranohet rritje e pagës me 20 përqind, përmirësimi I kushteve të punës dhe realizim i investimeve. Cështja kryesore e pazgjidhur mbetet ajo që lidhet me kërkesën e minatorëve për largimin e drejtorit të minierës.

Greva e minatorëve të Bulqizës u vu në qendër edhe të seancës së javës së shkuar të parlamentit. I thirrur në një interpelancë ministri I Ekonomisë Nasip Nace fajësoi sindikatat për mosarritjen e nje zgjedhjeje duke i akuzuar ato se janë të mbështetur nga grupe të tjera financiare. Ndërsa deputeti socialist Saimir Tahiri, akuzoi përfaqësuesit e qeverisë për korrupsion në marrëveshjen koncesionare të minierës së Bulqizës.