Mianmar, Gjykata e Lartë lë në burg gazetarët

Dy gazetarët e burgosur të agjensisë Reuters, Kyaw Soe Oo dhe Wa Lone

Gjykata e Lartë e Mianmarit rrëzoi kërkesën për apelim të dy gazetarëve të agjencisë së lajmeve Reuters, të dënuar për shkelje të një akti që lidhet me sekretet zyrtare të vendit, i cili qëndron në fuqi prej shekujsh.

Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo po mbulonin fushatën brutale ushtarake në shtetin Rakhine që detyroi rreth 700 mijë myslimanë Rohingya të kalonin kufirin për në Bangladesh në gusht të vitit 2017. Gazetarët u arrestuan në muajin dhjetor të po atij viti, pas takimit me dy oficerë policie në një restorant në Yangon, të cilët u dhanë një sasi të madhe dokumentash. Ata po hetonin masakrimin e 10 anëtarëve të komunitetit Rohingya nga policia dhe ushtarët në fshatin Inn Din. Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo u dënuan shtatorin e kaluar me shtatë vjet burg.

Gjykata e Lartë nuk dha hollësi të mëtejshme se përse e kundërshtoi ankimimin e gazetarëve. Avokatët e tyre thanë se gazetarëve u ishte ngritur një kurth nga policia. Në një moment gjatë procesit gjyqësor, një zyrtar i zbatimit të ligjit tha gjatë dëshmisë se tij se u kishte futur dokumenta dy gazetarëve.

Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo kanë marrë çmimin Pulitzer për raportim ndërkombëtar lidhur me publikimin e masakrës, çmim që ata e ndanë me dy kolegë të tjerë, të cilët e përfunduan materialin pas dënimit të tyre.