Surroi: Opinioni i Gjykatës nuk lë hapësirë për interpretim të dyfishtë

Surroi: Opinioni i Gjykatës nuk lë hapësirë për interpretim të dyfishtë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës menjëherë pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, analisti dhe publicisti i njohur Veton Surroi tha se Kosova nuk mund të kishte pritur për një vendim më në favor, më të qartë që nuk lë hapësirë për interpretime të dyfishta. Ai tha se pas kësaj Kosova duhet të punojë në nivelin diplomatik së bashku me vendet aleate për të shtuar numrin e vendeve që do ta njohin shtetin e ri.

Përqëndrimi në funksionimin e brendshëm dhe sovranitetin territorial është një pikë tjetër tha zoti Surroi ku duhet të përqëndrohet puna pas shpalljes së këtij vendimi.

Beogradi pa e ditur na ka kryer një shërbim të madh tha zoti Surroi, duke komentuar lidhur me mundësinë e vazhdimit të përpjekjeve të Beogradit për të sfiduar pavarësinë në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zoti Surroi tha se përpjekjet e Beogradit pas këtij vendimi do të kufizohet sepse në fund të fundit çështja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet nga Bashkimi Evropian me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Analisti Surroi parashikon se në bisedimet e pritshme Prishtinë-Beograd pas vendimit të GJND nuk do të flitet më për mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe se është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar dhe e qeverisë së Kosovës çështja në Veriun e vendit.

Mos të harrojmë tha zoti Surroi se përkundër këtij gëzimi të madh kemi një proces ligjor kundër zotit Haradinaj duke shtuar se situata për qeverinë e Kosovës vazhdon të jetë e brishtë dhe do të sfidohet jo vetëm në vjeshtë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme por edhe nga vala korruptive që duhet luftuar sa më fuqishëm.