Trump sulmon shtypin lidhur me mbulimin mediatik të Zonjës së Parë

Presidenti amerikan Donald Trump i rifilloi sulmet ndaj mediave të mërkurën, duke thënë se ato ishin treguar të "të padrejtë" dhe "të egër" ndaj gruas së tij Melania, e cila ka bërë pak dalje publike që nga koha kur u shtrua në spital muajin e kaluar.

Zoti Trump tha se Zonja e Parë "është mirë" dhe ka akuzuar shtypin për raportimin e lajmeve të gabuara në lidhje me gjendjen e saj shëndetsore dhe vendndodhjen e saj pas kryerjes së një ndërhyrjeje në veshkë, pas së cilës Zonjës së Parë i duhej të qëndronte pesë ditë në spital.

Presidenti tha se gazetarët e kanë parë Melania Trump-in "duke ecur pa asnjë shqetësim" në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar dhe në vend të raportonin këtë gjë nxitën një "tregim të sëmurë" se ajo ishte në gjendje të keqe dhe nuk qëndronte më në Shtëpinë e Bardhë.

Zonja e parë qëndroi jashtë vëmendjes së publikut për më shumë se tre javë që kur u shtrua në spital, përpara se shfaqej në një pritje private në Shtëpinë e Bardhë që u zhvillua të hënën.

Ndërsa mungesa e saj në ngjarje publike tërhoqi vëmendje të madhe, Melania Trump kritikoi mediat në një postim në Twitter. Ajo tha se mediat "po punonin jashtë orarit" duke spekulluar rreth saj, duke shtuar se ajo" ndihej shumë mirë”.

Zonja e Parë pritet ta shoqërojë presidentin për një konferencë të mërkurën në selinë e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave Federale në Uashington. Kjo do të jetë dalja e saj e parë jashtë Shtëpisë së Bardhë që nga 10 maji.