Meksikë: Vritet një prej trafikantëve kryesorë të drogës

Zyrtarët meksikanë thonë se një prej trafikantëve kryesorë të drogave, që mendohej se ishte vrarë tre vjet më parë, në fakt u vra dje në një operacion në perëndim të Meksikës.

Nazario Moreno, udhëheqës i një karteli të fuqishëm drogash që vepronte në shtetin perëndimor të Michoacan-it, në Meksikë , ishte njoftuar se ishte vrarë nga qeveria në një operacion në dhjetor të vitit 2010.

Trupi i tij nuk ishte gjendur asnjëherë, por qeveria e presidentit të atëhershëm Felipe Calderon e deklaroi atë zyrtarisht të vdekur.

Që nga ajo kohë, ish-karteli i tij “La Familia Michoacana”, u shndërrua në kartelin më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm, “Knights Templar”.

Lajmi për vrasjen e Morinos ndodh pas kapjes më 22 shkurt të trafikantit më të fuqishëm të drogës në Meksikë, Joaquin "El Chapo" Guzman, i cili u dorëzua paqësisht, pasi qëndroi 13 vjet në arrati.

Një tjetër trafikant i fuqishëm droge, Miguel Angel Trevino u kap nga mesi i vitit të kaluar.