Media në Shqipëri përballë sfidës së pavarësisë dhe keqinformimit

Your browser doesn’t support HTML5

Media në Shqipëri po përballet me disa sfida, si varësia nga politika, çensura, autoçensura, keqinformimi, si dhe financimi nga burime të dyshimta.

Studiues të kësaj fushe dhe gazetarë fitues të çmimeve të BE-së për gazetari investigative, konstatojnë me keqardhje, se këto dukuri kanë e dëmtuar lirinë e shprehjes.

Çmimi Nobel për Paqen, që iu dha dy gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov, është motivim dhe frymëzim për të gjithë ata gazetarë që besojnë se gazetaria nuk është thjesht një profesion, por një mision publik.

Çmimi Nobel i Paqes, që iu dha nga Komiteti Norvegjez i Nobelit gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov, shihet nga ekspertë të fushës si konfirmim i nevojës për informacion të besueshëm në rang global.

Ata u vlerësuan për përpjekjet e tyre në mbrojtje të lirisë së shprehjes, si një parakusht për demokracinë dhe paqen e qëndrueshme.

Ky çmim merr një rëndësi të veçantë edhe në Shqipëri, ku sfidat e medias, sipas studiuesve, janë të shumëfishta, si varësia nga politika, ndikimi i bizneseve, financimi nga burime të dyshimta, apo dhe vet qëndrueshmëria e tyre.

“Mendoj që një nga sfidat më të mëdha sot është keqinformimi. Sot ne përballemi me një bombardim informacioni nga të gjitha anët, pra në ndryshim nga 10 apo 5 vjet më parë, sot informacioni vjen te ne nga shumë burime të ndryshme, dhe jo të gjitha kategoritë ose anëtarë të audiencës ose publikut e kanë mundësinë, që ta verifikojnë ose filtrojnë informacionin që ata marrin” - tha për Zërin e Amerikës Elira Çanga, studiuese e medias, Programi Humphrey, Universiteti i Arizonës.

Në Shqipëri, në skenën mediatike ka afërsisht 45 televizione, 55 radio, rreth 800 portale on line, 11 mediaprint, 3 platforma dixhitale, dhe rreth 5100 punonjës.

Por me gjithë këtë larmi të mjeteve të informimit, gazetarët vënë re se ka një rënie të cilësisë së informimit.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, që synon t’u krijojë gazetarëve të rinj një hapësirë, sidomos për gazetarinë investigative ka vënë re që prej krijimit në vitin 2017, se gazetarët e rinj nuk e gjejnë veten në tregun mediatik.

“Ne sot shohim që diplomohen mbi 100 apo 200 studentë gazetarie çdo vit dhe nga studimet dhe anketimet që kemi bërë, shumica duan të përfundojnë ose në (PR), marrëdhënie me publikun, ose në televizion. Askush nuk përpiqet të bëjë gazetari të formatit të gjatë, gazetari hulumtuese, gazetari investigative apo dhe gazetari analitike të fushave të ndryshme. Dhe problemi qëndron te fakti që ata kanë pritshmëri të tilla sepse nga vetë sistemi nuk përfitojnë ndonjë gjë që të rriten në karierë apo të rrisin kapacitetin e tyre”- u shpreh për Zërin e Amerikës Redon Hoxha, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Ekspertë të fushës thonë se vetë modeli i mediave që zotërohen nga pronarë të cilët kanë parësorë biznese të tjera që shpesh lidhen me prokurime publike, i bën ato lehtësisht të kërcënueshme financiarisht nga pushteti politik.

Studiuesja Luljeta Progni, fituese e çmimit të BE-së për gazetari investigative këtë vit, thotë se po punon për një studim mbi historikun e medias në Shqipëri dhe sjell këtë shembull.

“Është një kohë impresionuese që kulmon në vitet '30 dhe jam mahnitur nga shumë prej emrave që kemi dëgjuar dhe lexuar, por kur fillon dhe i studion thellësisht, aty gjen dhe disa detaje. Shumë prej tyre shkrijnë gjithçka patën, pasuritë, dhanë shpirtin e tyre për të ndërtuar media, ata ishin pronarë të medias së tyre. Mit’hat Frashëri, Faik Konica, Nebil Çika, figura shumë të rëndësishme, ndërsa sot ndodh e kundërta. Ndodh që pronarët e mediave përfitojnë nga mediat e tyre” - tha për Zërin e Amerikës Luljeta Progni, fituese e fituese çmimit të BE-së për gazetari investigative, 2021.

Klodiana Kapo e Faktoje.al thotë për Zërin e Amerikës se gazetarët hasin në mjaft vështirësi për të marrë informacion në kushtet kur rreth 90% e informacioneve atyre u serviret i gatshëm nga zyrat e shtypit të institucioneve publike.

“Situata ka ardhur gjithmonë e duke u kontrolluar nga zyrat e shtypit dhe nga institucionet publike, duke e bërë dhe më të vështirë punën e një gazetari i cili kërkon të qëmtojë fakte apo të verifikojë situata, deklarata dhe çështje që janë të rëndësishme. Fakti që gazetarët po vazhdojnë të sulmohen dhe puna e tyre është gjithmonë dhe më e vështirë, tregon që sistemet e qeverisjes kanë probleme që duan t’i fshehin apo të mos i tregojnë ashtu siç janë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Klodiana Kapo, drejtuese e Faktoje.al.

Studiuesja e medias Elira Çanga shprehet se ka disa oaze shpresëdhënëse në Shqipëri, të një gazetarie cilësore të mbështetura nga organizata joqeveritare, ambasada të vendeve perëndimore dhe donatorë të huaj.

“Unë kam qenë për dy vite rradhazi në jurinë e krijuar për të dhënë çmime për gazetari investigative në Shqipëri. Shoh që ka shumë materiale të mira dhe gazetarë të rinj, që e bëjnë me dëshirë këtë punë. Hapat e tyre të parë janë shumë të mirë dhe ka një mbështetje. Unë do të thosha që ka oaze të gazetarisë dhe medias së pavarur në Shqipëri, puna është që ne duhet t’i mbajmë dhe t’i motivojmë” - vijoi Elira Çanga studiuese e medias, Programi Humphrey, Universiteti i Arizonës.

Studiuesja Canga thotë se dy gazetarët që u vlerësuan me çmimin Nobel për Paqen, Ressa dhe Muratov përfaqësojnë një komunitet me 46 gazetarë të vrarë vetëm këtë vit dhe 1636 në 20 vitet e fundit.

Kjo, sipas saj, tregon se sa e vështirë është situata e gazetarëve në të gjithë botën, dhe se sa rëndësi ka roli i tyre.

Në Shqipëri, ky çmim shihet në rradhët e komunitetit të gazetarëve si motivim dhe frymëzim, dhe si një qiri shprese për të gjithë ata që besojnë se gazetaria nuk është thjesht një profesion, por një mision publik.