SHBA: Në zgjedhjet 2016, media shndërrohet në personazh

  • Keida Kostreci

Fushata presidenciale e vitit 2016 ka paraqitur sfida të pazakonta për gazetarët dhe organet e medias që e mbulojnë atë. Një nga parimet e një gazetarie serioze në Amerikë është balanca, por deklarata kundërthënëse nga kandidati republikan, Donald Trump dhe akuzat e republikanëve për njëanshmëri pro demokratëve në media, në favor të Hillary Clintonit, kanë shkaktuar debate, duke e shndërruar edhe vetë gazetarinë politike në një nga temat e fushatës.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA: Në zgjedhjet 2016, media shndërrohet në personazh

Media është kthyer në protagonoiste në këtë vit zgjedhor, duke u perpjekur të përshkojë një terren të pasigurt. Donald Trump dhe përkrahësit e tij i kanë akuzuar organet e shtypit për njëanshmëri.

“Në veçanti Donald Trump, dhe më gjerë Partia Republikane, e kanë bërë median personazh të fushatës, duke thënë se shtypi është inkompetent, se po përpiqet t’i fusë në grackë, një nivel demonizimi i shtypit që nuk e shohim shpesh”, thotë Tom Rosenstiel, drejtor ekzekutiv i Institutit Amerikan të shtypit.

Thomas Burr, President i Klubit Kombëtar të Shtypit bie dakord që këtë radhë sulmet ndaj medias, janë më të ashpra.

“Nuk ka dyshim që fushata e zotit Trump akuzon gjithmonë gazetarët për njëanshmëri. Edhe fushata e zonjës Clinton nuk mbetet pas dhe është për të ardhur keq, sepse gazetarët bëjnë punën e tyre, nuk po përpiqen të fitojnë pikë dhe të shesin gazeta. Ata duan vetëm të nxjerrin të vërtetën”, thotë ai.

Por ndërsa mbështetësit e zotit Trump pretendojnë se ka njëanshmëri, ata të zonjës Clinton e akuzojnë median për “balancë të rreme”, duke argumentuar se deklarata të sajat, që janë paraqitur si provë se ajo nuk është e sinqertë, nuk janë të barazvlefshme me rastet kur Donald Trump nuk është i sinqertë.

Zoti Rosenstiel thotë se mund të vendosësh barazpeshë në një artikull që është krahasues, dhe pastaj të analizosh kontekstin dhe ndryshimin cilësor mes dy kandidatëve.

“Por nëse detyra ime sot është që të analizoj se çfarë tha Hillary Clinton dhe a është apo jo e vërtetë, unë si gazetar do të jap maksimumin, nuk do mendoj ‘meqë kjo është vetëm sa 3 të katërtat e rëndë krahasuar me atë që bëri dje Donald Trump, unë do ta mbuloj vetëm me 3 të katërtat e intensitetit. Kjo nuk bëhet!”

Dori Toribio, korrespondente e Radio-Televizionit spanjoll, RTVE në Uashington, thotë se nuk besoj se gazetarët kanë qenë të njëanshëm.

“Media po e kritikon Donald Trumpin në bazë të asaj që bën dhe thotë, jo sepse kanë ndonjë njëanshmëri ideologjike apo politike”, thotë ajo.

Gazetarja Toribio thotë se megithëse ka qenë veçanërisht e vështirë për të, si imigrante dhe grua të raportojë për zotin Trump, ajo është përjekur të mbetet neutrale.

Ajo thotë se publiku i huaj ka një nivel të jashtëzakonshëm interesimi për zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara.

“Çfarëdo që ndodh këtu në Shtetet e Bashkuara, çfarëdo që ndodh në Shtëpinë e Bardhë, ka ndikim në gjithë botën”.

Thomas Burr i Klubit Kombëtar të Shtypit, detyra e gazetarit është që të dallojë çfarë është fakt dhe çfarë është sajesë.

“Ky është roli kritik dhe jetik që një gazetar duhet të ketë në demokraci, të edukojë votuesit dhe publikun për atë që thonë kandidatët, qoftë ose jo e vërtetë”.

Por zoti Rosenstiel thotë se kostoja do të ishte e jashtëzakonshme, nëse gazetarët luajnë rolin e arbitrit.

“Ajo që na duhet nga gazetarët është që të thonë: angazhimi im është që të jem vëzhgues, në emër të qytetarëve të tjerë, për të zbuluar të vërtetën, pse diçka u tha , cili ishgte motivimi, por në fund të fundit i takon qytetarit të përcaktojë se cili është kuptimi”.

Në fund të fundit, cilido nga kandidatët të hyjë në Shtëpinë e Bardhë janarin e ardhshëm, kjo fushatë do të jetë e pazakontë dhe për t’u mbajtur mend, për vetë kandidatët dhe për gazetarët që po e mbulojnë atë.