Më 1 prill fillon regjistrimi i popullsisë në Kosovë

  • Leonat Shehu

Më 1 prill fillon regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Kosova planifikon që të premten, më një prill, të fillojë regjistrimin e popullsisë dhe pronave, që do të jetë regjistrimi i parë pas 30 vjetësh. Për herë të parë Kosova do të bëjë regjistrimin në të njëjtën kohë dhe me mbështetjen edhe financiare të Bashkimit Evropian. Përgatitjet për regjistrim kanë filluar që në vitin 2005 dhe janë vëzhguar nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha sot se ky proces është ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2011.

http://www.youtube.com/embed/wG5jcSVfBP4

Ky regjistrim është i rëndësishëm sepse krijon bazë të statistikave zyrtare, mbështetje të hartimit të politikave të drejta zhvillimore të vendit, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në aspektin ekonomik, social, shkencor dhe joshjes së investitorëve të huaj”, tha ai.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare kanë ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi të qytetarëve dhe kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në këtë proces. Por, ende është e paqartë se si do të zhvillohet ky proces në zonat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës. Përfaqësues të komunitetit serb në atë pjesë thanë se nuk ka kushte për regjistrim të popullsisë, ndërsa akuzuan Prishtinën se po synon përfitime politike, një qëndrim ky edhe i Beogradit zyrtar, i cili ka shtyrë procesin e regjistrimit deri në vjeshtën e këtij viti.

Drejtori i organizatës Evropiane për regjistrim, EUROSTAT, Peter Everares, tha se çështja e regjistrimit në atë pjesë për dallim nga pjesa tjetër e Kosovës ka edhe ngjyrime politike.

Bashkëpunimi ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, është me rëndësi për mënyrën e regjistrimit të popullsisë në veri. Kjo është një çështje e cila është pak teknike dhe më shumë politike”, tha ai duke nënvizuar se kjo çështje do të jetë temë debatesh.

Ministri Yagcilar, la të hapur mundësinë e afateve shtesë në veri, por jo edhe shndërrimin e tij në temë në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Regjistrimi nuk ka lidhje me dialogun dhe nuk do të lejojmë që kjo çështje të jetë çështje e dialogut, sepse është regjistrimi i një çështje ligjore dhe e standardit ndërkombëtar. Ne do ta bëjmë në tërë territorin e Kosovës regjistrimin dhe do të jetë një afat kohor i caktuar, deri kur do të bëhet. Kështu që ne prapë do të kemi takime tjera me Komitetin Drejtues dhe do të caktojmë një afat kohor dhe kur do të jetë afati i fundit. Ne do të fillojmë me 1 prill dhe do të caktojmë një afat të caktuar edhe për atë pjesë. Ka gjasa të jetë më shumë se dy javë, por mos të jetë afat i pacaktuar, të jetë një afat i caktuar”, tha ministri Yakcilar.

Regjistrimi në veriun e Kosovës pritet të bëhet nga UNOPS-i, në përpjekje për të zbutur kundërshtimin e banorëve serb dhe përfaqësuesve politikë të Beogradit.

Pjesëmarrësit në regjistrim, sipas autoriteteve, janë të lirë të deklarojnë përkatësitë etnike dhe fetare por nuk janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë. Megjithatë, ata kanë nënvizuar se është me rëndësi thelbësore që të gjitha komunitetet të marrin pjesë në regjistrim, me qëllim të pasqyrimit të karakterit shumetnik të Kosovës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët bojkotuan regjistrimin që po bëhej nga Beogradi. Regjistrimi i atij viti fliste për rreth 200 mijë banorë serb në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë hedhin poshtë pretendimet e Beogradit se numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova është rreth 250 mijë.