Prokurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Sessions shfuqizoi politikën e ish presidentit Barak Obama që lehtësonte zbatimin e ligjeve federale për marijuanën në shtetet ku ajo është e ligjshme.
Vendimi i zotit Sessions u mundëson prokurorëve federalë në këto shtete, të përcaktojnë se sa agresivë duhet të jenë në zbatimin e ligjit.
Njoftimi i së enjtes erdhi tre ditë pasi dyqanet e shitjes me pakicë në Kaliforni nisën tregtimin e marijuanës për qëllime rekreative. Sipas mbështetësve të këtij vendimi, Kalifornia do të jetë tregu më i madh në botë i ligjshëm i marijuanës që përdoret për qejf.
Legalizimi i marihuanës për përdorim rekreativ në Kaliforni dhe në shtatë shtete të tjera si dhe në Uashington DC, mund të përshkallëzojë tensionet mes zyrtarëve shtetërorë me ata federalë të zbatimit të ligjit për drogat, që udhëhiqen nga zoti Sessions, një kundërshtar i vendosur i legalizimit.
Ai e ka krahasuar marijuanën me heroinën dhe thotë se ajo është shkak për një rritje të ndjeshme të nivelit të dhunës.
Departamenti i Drejtësisë e konsideron marijuanën në të njëjtën kategori me heroinën, LSD-në dhe kokainën. Por senatori i pavarur dhe ish-kandidati presidencial, demokrat Bernie Sanders iu përgjigj vendimit të zotit Sessions në twitter, duke thënë se ky është një kategorizim i gabuar i marijuanës.
"Jo, Prokuror i Përgjithshëm, marijuana nuk është e njëjtë me heroinën. Askush nga ata që e ka studiuar seriozisht këtë çështje nuk mendon kështu, përkundrazi. Duhet të lejojmë shtetet të ecin drejt dekriminalizimit të marijuanës, jo të bëjmë hapa pas me progresin e arritur”, tha ai.
Përdorimi i marijuanës për qëllime mjeksore është i ligjshëm në 29 shtete dhe në Uashington DC. Senatorja demokrate Kirsten Gillibrand tha të enjten se vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm mund t’u mohojë pacientëve qasjen në përdorimin e substancës për trajtim mjekësor dhe t'i shdërrojë në mënyrë joproporcionale disa grupe në subjekte të ndjekjes penale.