Shënohet në Shkup Dita e Kujtimit të Holokaustit

Your browser doesn’t support HTML5

Shkup, përkujtohen diplomatët që shpëtuan hebrenjtë

Sot më 27 janar, komuniteti ndërkombëtar shënon Ditën e Kujtimit të Holokaustit, duke nderuar viktimat e tmerreve të Gjermanisë Naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u persekutuan dhe u vranë sistematikisht 6 milionë hebrenj nga regjimi nazist dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo ditë kujton edhe guximin e atyre që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë dhe të tjerë nga kampet neziste të vdekjes. Kjo ditë u shënua sot në Shkup, ku deri para Luftës së Dytë Botërore ka pasur një komunitet hebre që jetonte aty. Mbi shtatë mijë pjesëtarë të këtij komuniteti i ishin dorëzuar nazistëve në kampin e Treblinkës, në Poloninë e sotme. Në Shkup, përmes një ekspozite u përkujtuan diplomatët të cilët kishin ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve.

Dita botërore e përkujtimit të Holokausit shënohet edhe në Shkup, ku dikur ka pasur një komunitet hebrenjësh, të deportuar për në kampin e përqendrimit në Treblinka, prej nga askush nuk ishte kthyer më. Organizata “Akta Non Verba”, një shoqatë e cila merret me çështjet e Holokausit dhe bashkëpunon ngushtë me Insitutin për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me Muzeun botëror të Holokaustit Jad Vashem dhe Ministrinë e jashtme të Izraelit organizuan një ekspozitë me fotografitë e një sërë diplomatësh që kishin ndihmuar në shpëtimin e hebrenjëve. Këta diplomatë megjithatë vetë ishin bërë viktimë e nazizmit.

“Do të doja të përmend me emër diplomatin japonez Sugihara dhe diplomatin kinez, Ho Feng Shang, të cilët shpëtuan më shumë se dy mijë hebrenj. Këto janë histori vërtetë të veëanta. Sigurisht, jo më pak të rëndësishme janë hitoritë e njerëzve të tjerë të drejtë, të thjeshtë të cilët e kanë pranuar sfidën për çka sakrifikuan jetën e tyre në kohë të vështira."

Historia e shpëtimit të familjes Françes është pikërisht si rezultat i bashkëpunimit në mes të familjes Haxhimitko dhe Ribarev nga Maqedonia, të cilët përmes familjes Meliçi kalojnë në Shqipëri dhe gjejnë strehim tek familja Kasapi. Këto janë histori jetësore të jashtëzakonshme që definitivisht meritojnë të përmenden në këtë ditë të rëndësishme”, tha Skender Asani, kryetar i organizatës joqeveritare “Acta Non Verba”.

Ndërkaq, ambasadori izraelit Dan Orian tha se “Qindra mijë hebrenj u shpëtuan nga njerëz që punonin nëpër ambasada dhe diplomatë të cilët ishin siguruar se do të kishin dokumente dhe pasaporta, por që më pas atyre diplomatëve u kushtoi shumë shtrenjtë angazhimi i tyre”.

Ambasadori gjerman në Maqedoni Tomas Gerberich tha se ”gjykimet në Frankfurt nxitën një zhvillim emocionues në Gjermani që historianët e quajnë “bashkëpunim në përkujtim”, ndërsa shtoi se “Holokausti mbetet një histori e trishtë për vendin e tij i cili tashmë e ka detyrim historik dhe moral ndaj hebrenjëve, për të luftuar çfarëdo forme të antisemitizmit, racizmit dhe armiqësisë ndaj të huajve”.

Autoritetet e kohës kishin dorëzuar mbi shtatë mijë hebrenj nga Maqedonia për në kampet e Treblinkës dhe Aushvicit, ndërkohë që Shkupi dhe një pjesë e madhe e territorit të Maqedonisë së sotme qeverisej nga pushteti bullgar. Ndërkohë, lagja e hebrenjve nën kalanë e Shkupit qe prishur në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar me arësyetimin se shtëpitë ishin dëmtuar nga tërmeti i atyre viteve. Në këtë vend u ngrit para disa vitesh Muzeu u Holokaustit.

Sot vlerësohet se janë vetëm pak njerëz nga komuniteti hebre sa mund të numërohen me gishtat e të dy duarve, të cilët janë kthyer të jetojnë në Maqedoni.