Maqedoni: 30 të akuzuar për dhunën në parlament

  • Isak Ramadani

Në Maqedoni, prokuroria për krimin e organizuar ka ngritur të martën aktakuzë ndaj 30 të dyshuarve për pjesëmarrje në trazirat e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në parlament.

Prej tyre 28 veta akuzohen për terrorizëm dhe kërcënim të rendit kushtetues. Pesë nga të akuzuarit janë deputetë të VMRO-DPMNE-së ose të partnerëve të saj më të vegjël. Ndërkaq, një nga të akuzuarit është Mitko Çavkov, ish-ministër i punëve të brendshme. Një ligjvënëse e opozitës maqedonase, Zhaklina Peshevska është liruar nga akuzat, në mungesë të dëshmive, sipas prokurorisë.

Kryeprokurori Lubomir Jovevski u tha gazetarëve se 35 persona akuzohen për ngjarjet e 27 prillit, pesë prej të cilëve ndodhen në arrati, por se procedurat gjyqësore ndaj tyre do të vazhdojnë sa po ata të jenë të kapshëm për organet e rendit.

Ligjet parashikojnë dënimeme burg prej dhjetë vjetësh për veprën për të cilën akuzohen të dyshuarit.

Prokurori Jovevski nuk u përgjigj nëse kishte njohuri për porositësin e trazirave në parlament.

“Tre zyrtarë të lartë të Ministrisë së brendshme, megjithëse e dinin se jetët e deputetëve dhe gazetarëve ishin në rrezik, nuk kanë dhënë urdhër për forca shtesë të policisë. Para kësaj, gjatë mobilizimit të protestuesve, të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm se parlamenti nuk do të sigurohej në mënyrë të përshtatshme”, tha Jovevski.

Policia ka arrestuar të marten në mbrëmje ish-drejtorin e Byrosë për siguri publike dhe ish-ministër Mitko Çavkov dhe katër persona të tjerë, ish-pjesëtarë të ministrisë së rendit dhe të shërbimit sekret, vetëm një ditë pasi ata ishin liruar nga parburgimi dhe u ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak. Atyre sërish u është caktuar një afat prej 30 ditësh paraburgim.

Partia VMRO-DPMNE ka reaguar duke akuzuar kryeministrin Zoran Zaev dhe pushtetin për “torturë ndaj patriotëve të paraburgosur që ka tejkaluar të gjithë kufijtë”.

Dhuna në parlament kishte shpërthyer më 27 prill të vitit të kaluar kur shumica parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin në postin e kryetarit të parlamentit të Maqedonisë.

Në ato ngjarje më së keqi e pati pësuar Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe Zoran Zaev, i cili më pas arriti ta formojë koalicionin qeveritar.

Gjyqi ndaj të akuzuarve për tentim vrasjeje ndaj deputetit Sela është në proces e sipër.