Lirohet sindikalisti nga Kosova Hasan Abazi, i arrestuar në Serbi

Autoritetet serbe liruan sot kryetarin e sindikatës së pavarur të metalpunuesve të Kosovës, Hasan Abazi, i cili për më shumë se tri jave është mbajtur nën masën e arrestit në Serbi.

Lirimi i tij është bërë më kusht kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh, thanë familjarët e tij. Transferimi i tij nga Serbia në Kosovë është bërë nga autoritetet e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Hasan Abazi, është arrestuar nga policia serbe më 28 mars, në vendkalimin kufitar me Serbinë, te Dheu i Bardhë, në bazë të një urdhër arresti nën akuzat për, siç është thënë, “spiunazh gjatë viteve të 90-ta”.

Arrestimi i tij nxiti reagimin e institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat kërkuan lirimin tij.

Arrestimi i Hasan Abazit, u vlerësua si një veprim hakmarrës i autoriteteve të Serbisë, pas arrestimit të disa pjesëtarëve institucioneve të mbështetura nga Beogradi në Kosovë.