EULEX: Fletë-arrest për 9 persona, Fatmir Limaj mes tyre

EULEX: Fletë-arrest për 9 persona, Fatmir Limaj mes tyre

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, bëri të ditur se janë arrestuar nëntë persona nën dyshimet për përfshirje në krime lufte. Njoftimet jozyrtare thonë se ka një urdhër arresti edhe për deputetin e Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, ish komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dhënë hollësi, përveç pohimeve se arrestimet gjatë të cilave janë kryer edhe bastisje, janë urdhëruar nga një gjykatës i EULEX-it, nën dyshimet e bazuara për vrasje, tortura dhe veprime të tjera penale të bëra kundër civilëve shqiptarë dhe serb të Kosovës, si dhe ndaj të burgosurve të luftës në qendra të paraburgimit në Kosovë në vitin 1999.

EULEX-i nuk ka bërë të ditur identitetin e të arrestuarve, të cilët janë që të gjithë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndonëse zyrtarisht EULEX-i nuk ka pranuar ta konfirmojë, ka një urdhër arresti, të cilin Zëri i Amerikës e ka parë edhe për deputetin e Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj. Nuk është ende e qartë se si po zhvillohen gjërat rreth tij meqë ai është deputet i Parlamentit dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, “imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Parlamentit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Parlamentit. Deputeti i Parlamentit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Parlamentit”.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Reagojnë shoqatat e dala nga lufta.

Nuk ka pasur reagime të menjëhershme të autoriteteve vendase, ndërsa kundër këtyre arrestimeve kanë reaguar Organizatat e dala nga lufta. Në një reagim të këtyre organizatave shprehet siç thuhet, “indinjata me rastin e arrestimeve të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Malisheva dhe Lipjani”.

Në reagim theksohet se “veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë”.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së në asnjë mënyrë nuk pajtohen me këto veprime, që i quajnë antishqiptare, duke konsideruar se misioni evropian e ka “devalvuar veten në sytë e qytetarëve të Kosovës.

Duke qenë dëshmitarë të veprimit të grupeve kriminale serbe edhe më tutje brenda territorit të Kosovës, një pjesë e të cilave struktura janë edhe përgjegjëse për gjenocidin e bërë gjatë luftës, ne kërkojmë që gjahu kundër luftëtarëve të UÇK-së të ndërpritet menjëherë, e të ndiqen kriminelët e vërtetë. Në ditët në vijim, do të informojmë opinionin për masat tona të mëtutjeshme të cilat do të jenë në kontribut të ndërprerjes së fushatës së EULEX-it kundër UÇK-së”, thuhet në reagimin e shoqatave të dala nga strukturat e ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.