Mbi 100 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë marrë përsipër udhëtimin e rrezikshëm përtej anës tjetër të Mesdheut, për në Europë këtë viti, megjithëse përmes një kalimi të pasigurt dhe të paligjshëm. Mijëra prej tyre nisen nga Libia, që është bërë një qendër kryesore trafikimi. Muajin e fundit është bërë edhe më e vështirë për organizatat humanitare të ndihmojnë ata që largohen, pasi roja bregdetare libiane ka zgjeruar operacionet e saj përtej ujërave territoriale, duke kërcënuar shpesh anijet e shpëtimit që u përkasin grupeve bamirëse.
Grupet humanitare thonë se roja bregdetare libiane ndërhyn në operacionet e shpëtimit të tyre në ujërat ndërkombëtare, pastaj merr dhe i kthen imigrantët afrikanë në Libinë e shkatërruar nga lufta:
“Jemi shumë të shqetësuar për situatën”, thotë Francesco Rocca, presidenti i Kryqit të Kuq Italian.
Në Libi, imigrantët nuk mbrohen nga ligji dhe shpesh mbahen të paraburgosur në kushte tepër të këqija. Qendrat e paraburgimit janë të pista dhe të mbipopulluara, dhe punonjësit e ndihmës nuk kanë qasje në to.
Libisë i mungon një qeveri e vetme dhe e bashkuar; militantët rivalë veprojnë pa u ndëshkuar, dhe luftëtarët e Shtetit Islamik ende paraqesin rrezik në pjesën jugore të vendit:
“Ky është një vend në luftë, ku duhet të ketë qasje humanitare.” shton zoti Rocca.
Edhe OKB-ja i ka kërkuar autoriteteve libiane që të sigurojnë qasje të sigurtë dhe të mos pengohet hyrja e ndihmave:
“Ne duam të sigurohemi që të gjitha organizatat joqeveritare dhe të gjithë punonjësit humanitarë të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa frikë dhe pa pengesa"- thotë zëdhënsi i OKB-së.
Për shkak të sjelljes kërcënuese të rojes bregdetare libiane, disa organizata të ndihmës, përfshirë “Mjekët pa Kufij” dhe “Save the Children”, kohët e fundit kanë pezulluar operacionet e tyre të shpëtimit:
“Sigurisht, pasoja është se në Mesdhe do të vdesin më shumë njerëz, duke u përpjekur për të shkuar në Europë për një jetë të re”,- thotë z. Rocca.
Deri më tani këtij viti, gati 2.400 njerëz janë mbytur gjatë udhëtimit të tyre drejt Europës.