Libri "Faik Konica: Jeta në Uashington" promovohet në Tiranë

Libri "Faik Konica: Jeta në Uashington" promovohet në Tiranë

Shtëpia botuese “Onufri” publikoi mbrëmë botimin më të ri “Faik Konica – Jeta në Uashington”. Studimi i autorit Ilir Ikonomi përfshin dekadat e jetës në SHBA si ambasador i Shqipërisë të diplomatit dhe filozofit të njohur Faik Konica.

Dhjetëra studiues, historianë, studentë e botues morën pjesë në ceremoninë e shtëpisë botuese “Onufri” për librin që hedh dritë mbi jetën diplomatike dhe veprimtarinë patriotike të njërit prej figurave më të njohura dhe më pak të njohura të historisë të Shqipërisë.

Autori Ilir Ikonomi, gazetar në VOA punoi për shumë vjet në arkivat e Uashingtonit, Londrës, Vienës, Tiranës dhe bëri mjaft kërkime në terren për të zbuluar personalitetin e vërtetë të Faik Konicës, ndihmesën e tij në shtetformimin dhe diplomacinë Shqipëtare.

Studimi përmban një sasi të madhe informacioni për Faik Konicën, që nga shtëpia e tij në Konicë e deri në një mori volumesh dokumentare nga shtypi amerikan dhe nga materialet diplomatike arkivore.

Disa pjesëmarrës në ceremoni pohuan se e shohin këtë libër si një përpjekje për te rikthyer në atdhe personalitetin që sakrifikoi për Shqipërinë dhe një sfidë ndaj historianëve të regjimit komunist.

Autori publikon në detaje punën e diplomatit të shquar shqiptar në Uashington, në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të kohës për të shpëtuar nga zjarri I luftrave botërore e rajonale, vende të pambrojtura dhe paqësore si Shqiperia.

Libri ka pastruar nga harresa dhe tabutë e komunizmit figura të tjera bashkëkohës të Konicës si Fan Noli dhe përfaqësues të njohur të emigracionit shqiptar, si dhe të mbretit të Shqipërisë Ahmet Zogut.

Censura e diktaturës komuniste ndaloi me dhunë botimet e Faik Konicës dhe për gjysëm shekulli I shtyu historiografët e regjimit të shpifnin e të shtrembëronin të dhënat për të dhe për monarkinë e Shqipërisë.