Libi: Rebelët kritikojnë NATO-n për sulme jo të shpejta në Misratë

  • Zëri Amerikës

Libi: Rebelët kritikojnë NATO-n për sulme jo të shpejta në Misratë

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Libi vazhdojnë. Rebelët dhe krerët perëndimorë kanë thënë se nuk do të pranojnë një marrëveshje që do të lejonte zotin Gadafi apo djemtë e tij të qëndronin në pushtet. Ndërkohë, kreu i forcave rebele libiane ka kritikuar NATO-n për mos-kryerjen e sulmeve të shpejta ajrore në qytetin perëndimor të Misratës, duke thënë se vonesat po shkaktonin vdekjen e civilëve.

Abdel Fatah Junis tha se NATO-ja po vepronte shumë ngadalë, duke lejuar forcat besnike të udhëheqësit libian Moamar Gadafi të avanconin. Ai tha se mund t’i nxisë udhëheqësit rebelë të ankohen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila e autorizoi përdorimin e forcës në Libi për të mbrojtur civilët.

“Nëse NATO-ja do të priste edhe një javë, Misrata do të kishte përfunduar, banorët e saj do të kishin vdekur dhe komuniteti ndërkombëtar do të mbante përgjegjësinë për një krim të tillë. OKB-ja e ka vënë NATO-n për të na mbrojtur, po ata nuk po bëjnë asgjë.”

Zyrtarët e NATO-s thonë se në Misrata, tanket e zotit Gadafi janë shpëndarë dhe njerëzit përdoren si mburoje. Gjenerali Mark van Um, shef i operacioneve të aleancës, thotë se sulmet nga ajri nuk janë pakësuar.

“...situata po ndryshon çdo minutë. Ditët e para kemi pasur shenjestra të tjera. Tani situata është krejt ndryshe dhe nuk mund të krahasohet, megjithëse ritmi i operacioneve nuk ka ndryshuar.

Forcat besnike të zotit Gadafi i kanë detyruar rebelët të tërhiqen më shumë se asnjëherë në ditët e fundit gjatë luftimeve pranë qytetit lindor të naftës Brega.