Kryeministri libanez Saad Hariri tha sot se ka pezulluar vendimin për dorëheqjen e tij me kërkesë të presidentit Michel Aoun.
Duke folur në pallatin presidencial pranë Bejrutit me rastin e pavarësisë së vendit, zoti Hariri tha se ky vendim do t’i japë kohë për diskutime të metejshme me presidentin.
Sipas tij në këtë periudhë kritike, vendi ka nevojë për një përpjekje të jashtëzakonshme nga të gjithë, për ta mbrojtur përballë rreziqeve dhe sfidave.
Zoti Hariri përsëriti nevojën që Libani të mbetet neutral në konfliktet rajonale.
Njoftimi për dorëheqje i Saad Haririt në fillim të këtij muaji ndërsa ndodhej në Arabinë Saudite nxiti një krizë politike si dhe spekulime nëse ishin autoritetet e Rihadit që po e mbanin atje jashtë vullnetit të tij.
Presidenti i Libanit Aoun kishte thënë se nuk do ta pranonte dorëheqjen derisa të fliste personalisht me zotin Hariri. Ky i fundit mbriti dje në mbrëmje në Bejrut pas disa ndalesave në Francë dhe Egjipt.
Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Saad Hariri denoncoi Iranin dhe Hezbollahun për mbjelljen e mosmarrëveshje mes shteteve arabe dhe tha se kishte frikë se mund të vritej. Babai i tij, ish kryeministri Rafik Hariri, u vra gjatë një atentati me bombë në vitin 2005.