Shefi i diplomacisë greke, Stavros Lambrinidis, ka bërë thirrje për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai i bëri këto komente gjatë qëndrimit në Prishtinë, në kuadër të vizitave që ka bërë në rajon në kuadër të bisedimeve për ardhmërinë evropiane të Ballkanit dhe siç tha për të promovuar agjendën 2014 për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ai tha se dialogu është e vetmja rrugë evropiane për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe jo dhuna dhe përdorimi i armëve.
Ai tha se Athina nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj kundruall pavarësisë së Kosovës, por Greqia do të mbështesë Kosovën në proceset për afrimin me Bashkimin Evropian.
Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ministri grek tha se vendi i tij është i përkushtuar për ardhmërinë evropiane të rajonit dhe për këtë arsye, javën që vjen ai së bashku me ministrin e jashtëm italian Franco Frattini do të shkojnë në Tiranë, në një mision të përbashkët për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.