Kushtetuta e re Turqisë dhe përpjekjet për t’u shkëputur nga e kaluara ushtarake

  • Dorian Xhons

Kushtetuta e re Turqisë dhe përpjekjet për t’u shkëputur nga e kaluara ushtarake

Kryetari i Parlamentit turk zhvilloi të hënën takime me ekspertë konstitucionistë lidhur me hartimin e një kushtetute të re. Ekziston një konsesus i gjerë për nevojën e zëvendësimit të kushtetutës së vitit 1982, e cila u shkrua nga sundimtarët e atëhershëm ushtarakë të Turqisë. Kushtetuta e re shihet si tepër e rëndësishme për trajtimin e disa kërkesave të veanta të pakicës kurde në vend. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Xhons, para qeverisë turke ka probleme të rëndësishme në përpjekjet për reformën kushtetuese.

Kryetari i Parlamentit turk Xhemil Çiçek i priti përzemërsisht ekspertët e kushtetutës. Ai tha se kushtetuta e re është e rëndësishme për modernizimin e vendit dhe arritjen e synimit për anëtarësim në BE. Takimi i së hënës është hapi i parë në përpjekjet e qeverisë turke për zëvendësimin e kushtetutës së periudhës ushtarake, që është sinonim i shtypjes dhe mungesës së lirive. Në Turqi ekziston një konsensus i gjerë mbi nevojën e zëvendësimit të kushtetutës ekzistuese. Bazuar mbi këtë konsensus, anëtari i partisë në pushtet AK, Volkan Bozkir thotë se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“Kushtetuta është shtylla kryesore e të gjithë sistemit. Kjo që kemi tani është produkt i grushtit ushtarak në vitin 1980. Mentaliteti i kësaj kushtetute nuk është liberal. Më e mira është të kemi një kushtetutë të re. Por të gjithë duhet të ndjehen mirë me të, dhe që kjo të ndodhë, në kushtetutë duhen patur parasysh të gjitha çështjet sensitive. Natyrisht, që kushtetuta e re duhet miratuar me referendum.”

Qeveria turke është aangazzhuar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë parlamentare. Por ndërsa ekziston konsensusi mbi nevojën e reformave, mbeten mosmarrëveshje të thella lidhur me natyrën e tyre. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan shihet gjerësisht si një person që dëshiron ndryshimin e Turqisë nga sistemi i republikës parlamentare në republikë presidenciale, një propozim që kundërshtohet me forcë nga të gjitha partitë e opozitës. Por në kushtet kur zoti Erdogan mundi të sigurojë 50 për qind të votave në zgjedhjet e qershorit të kaluar, komentatori politik Asli Ajdintasbas paralajmëron se thëniet e qeverisë për mbajtjen e bisedimeve mund të mbeten vetëm fjalë.

“Ai nuk e ndjen nevojën për kompromis dhe faktikisht, zhurma për konsensus nuk bëhet për kompromisin. Ideja e tij është që të ulemi në tavolinë dhe të marrim vendimin për atë që dëshiron 50 përqindëshi. Duke patur parasysh retorikën e tanishme dhe bojkotin, nuk besoj që do të ketë një konsensus të gjerë për kushtetutën e re. Nuk besoj që kjo do të ndodhë.”

Bojkotimi që përmend komentatori politik ka të bëjë me partinë kryesore pro-kurde, BDP. Deputetët e kësaj partie nuk pranojnë të bëjnë betimin parlamentar, për shkak se 6 nga kolegët e tyre ndodhen në burg, megjithëse ata gëzojnë imunitet parlamentar.

Procesi i reformës kushtetuese është mjegulluar tashmë nga shtimi i mosmarrëveshjeve mes shtetit turk dhe partisë PKK që përfaqëson rebelët kurdë. Po ashtu vazhdojnë arrestimet e anëtarëve të partisë pro-kurde BDP. Vetëm gjatë ditëve të fundit janë arrestuar 55 vetë nga kjo parti, sipas ligjeve të anti-terrorizmit. Studjuesi i shkencave politike Soli Ozel paralajmëron se i gjithë procesi kushtetues është i rrezikuar.

“Problemi kryesor do të jetë se si duhet ripërkufizuar nocioni i qytetarisë. Në se pakica kurde lihet jashtë, atëhere kemi për të patur një kushtetutë të çalë. Me sa duket, qeveria po i mëshon faktit, se ajo është e aftë të flasë në emër të kurdëve, edhe ngaqë rreth gjysmën e votave e siguron nga popullsia kurde.”

Por udhëheqja e partisë pro-kurde BDP, ka thënë se do t’i japë fund bojkotit, në se qeveria përkushtohet që t’i japë fund operacioneve në kufirin me Irakun, kundër bazave të PKK-së. Po ashtu, kurdët duan t’i jepet fund izolimit në burg të udhëheqësit të PKK-së Abdullah Oçalan. Mbetet e paqartë në se qeveria do t’i plotësojë këto kërkesa. Por deputeti Bozkir mendon se procesi i kushtetutës do të karakterizohet nga një pjesëmarrje e gjerë politike.

“Është e kuptueshme, se në Parlament do të zhvillohen bisedime të vështira. Por kur është fjala për çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, kam shumë shpresë se do të na duhet vetëm t’i përfshijmë partite politike në proces, të dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe ta konsiderojmë kushtetuën si një projekt të përbashkët.”

Kushtetuta e re shihet gjerësisht si tepër e rëndësishme për ta kthyer Turqinë në një demokraci të re dhe për t’i hapur rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që vazhdojnë të ekzistojnë në shoqërinë turke. Por këto mosmarrëveshje rrezikojnë t’i pengojnë përpjekjet e qeverisë, që më në fund ta shkëpusin vendin nga e kaluara e tij ushtarake.