Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

  • Leonat Shehu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se qeveria e tij synon që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, pasi të vendosen masat e reciprocitetit me Serbinë, duke vlerësuar se edhe marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë, ndërtohen mbi këtë parim. Në intervistën dhënë korrespondenti tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, në të cilën flet edhe për përparësitë e punës së qeverisë së tij, kryeministri Kurti thotë se nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, por nuk pret ndonjë dialog thelbësor e as rezultate të shpejta derisa edhe Serbia është në prag të zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, ju paralajmëruat zëvendësimin e tarifave ndaj mallrave serbe me masa të reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë. Si mendoni ta realizoni këtë?

Albin Kurti: Ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës shtatë dhjetor 2011 dhe ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Ajo i ka dy aspekte; aspektin politik dhe ekonomik. Aspekti politik më shumë i korrespondon shkakut dhe shkasit. Shkaku ishte fushata agresive e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, ndërkaq shkasi ishte mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, madje edhe shumë faktorë ndërkombëtarë e theksojnë që Serbia duhet ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq, është edhe aspekti ekonomik me ç’rast meqenëse ajo tarifë u vendos shpejt e shpejt me siguri që bëhet fjalë për një mungesë përfitimi për prodhuesit vendës, ashtu që sot ekonomikisht nga tarifa 100 për qind ndaj Serbisë më së shumti kanë përfituar disa shtete të rajonit, prandaj unë dëshiroj që të mbaj një takim me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë dhe ta diskutojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik.

Zëri i Amerikës: A do të shkoni së pari me reciprocitet pastaj me largimin e tarifave apo si do të veproni?

Albin Kurti: Ashtu kemi deklaruar në fushatën zgjedhore sepse ashtu kemi menduar e besuar dhe ne me ato deklarime e qëndrime kemi fituar dhe natyrisht që tash duhet t’i dalim zot qytetarëve për mbështetjen e tyre. Ne duam që tarifën njëqind për qind ta zëvendësojmë, pra të mos kemi situatë në të cilën nuk e kemi as tarifën as reciprocitetin.

Zëri i Amerikës: Kur mendoni ta bëni këtë? A ka ndonjë afat kohor për një gjë të tillë?

Albin Kurti: Do të dëshironim sa më shpejt që të jetë e mundur, mirëpo unë sot mezi kam arritur që ta përfundoj në ditën e tretë të punës vizitën e stafit në ndërtesën e kryeministrisë, ka shumë zyre e shumë dyer këtu dhe këtë javë kisha një mbledhje ceremoniale solemne, do të vazhdoj me mbledhjen e radhës e kemi projektligjin për buxhetin e vitit 2020, programin qeverisës, e kemi planin e punës së qeverisë, e kemi shqyrtimin e një mori të vendimeve pas dorëheqjes së ish kryeministrit në korrik të vitit të shkuar. Natyrisht që kjo është ndër prioritetet tona mirëpo, ne ende nuk jemi vendosur në qeveri tamam dhe do të na nevojitet ca kohë, do të përpiqemi më shpejt mirëpo jo gjithçka varet tash prej nesh.

Zëri i Amerikës: Ka pasur thirrje edhe nga diplomatët perëndimorë, ambasadori amerikan Grennell, shefi i politikës së jashtme evropiane zoti Borell që tarifat të hiqen menjëherë, a do të ndikojnë thirrjet e tilla që të përshpejtohet kjo gjë?

Albin Kurti: Ne kemi vizionin tonë, edhe lëvizja Vetëvendosje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si dy partitë më të mëdha në Republikën tonë që i

Ne nuk dëshirojmë që të hakmerremi ndaj Serbisë, mirëpo ka shumë gjëra të papranueshme që i bën ajo karshi nesh e neve na nevojitet që minimalisht të mbrohemi, pra reciprociteti nuk është fare ofensiv, fushata e Serbisë është ofensive, reciprociteti është mbrojtje, është defansiv, është minimumi për një lloj dinjiteti dhe integriteti të subjektivitetit tonë si shtet në aspektin e jashtëm.


kanë fituar zgjedhjet me qëndrimin për reciprocitet karshi Serbisë. Pra ne nuk duam hakmarrje, ne duam drejtësi, reciprociteti është korrektësi, është një qasje fer, është në regjistrin e drejtësisë dhe unë e di që në njërën prej deklarimeve të tij edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Trump, e ka përmendur reciprocitetin si vlerë e si koncept që ai e ka përzemër, pra marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë ndërtohen me këtë parim. Nuk kemi pse ne ta anashkalojmë vetveten, ne nuk dëshirojmë që të hakmerremi ndaj Serbisë, mirëpo ka shumë gjëra të papranueshme që i bën ajo karshi nesh e neve na nevojitet që minimalisht të mbrohemi, pra reciprociteti nuk është fare ofensiv, fushata e Serbisë është ofensive, reciprociteti është mbrojtje, është defansiv, është minimumi për një lloj dinjiteti dhe integriteti të subjektivitetit tonë si shtet në aspektin e jashtëm.

Zëri i Amerikës: Sipas jush a mund të bëhet kjo deri në pranverë?

Albin Kurti: Ne do të përpiqemi sa më shpejt mirëpo unë nuk mund të jap një datë tash pa i filluar mbledhjet e qeverisë, pa e vendosur këtë në kabinetin tim dhe natyrisht pa e takuar edhe komunitetin e biznesit. Unë besoj që kur është vendosur tarifa 100 për qind në vjeshtën e vitit 2018, është bërë gabim që nuk i kanë takuar biznesmenët tanë e posaçërisht prodhuesit, mirëpo jemi ku jemi tash dhe neve na duhet ta shqyrtojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj çështje. Jo vetëm Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike që kanë fituar numrin më të madh të votave duke e përfshirë reciprocitetin në prioritetet e fushatës, por edhe shumica dërmuese e opozitës që tash është pakicë në kuvend e do reciprocitetin, nëse i pyesni edhe votuesit e opozitës e duan reciprocitetin sepse është gjëja më normale e madje do të thosha edhe më njerëzore civilizuese në botën demokratike.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër një pjesë e opozitës që edhe e përmendët ka kundërshtuar heqjen e tarifave duke thënë se reciprociteti nuk është i efektshëm sa tarifat. Madje sot ish kryeministri zoti Ramush Haradinaj ju ka shkruar një letër të hapur ku ju bën thirrje që të mos i hiqni tarifat. Si ju përgjigjeni?

Albin Kurti: Unë qysh në fillim kam deklaruar që tarifat nuk janë në kuadër të vizionit të lëvizjes Vetëvendosje, edhe atëherë kur isha në opozitë. Këtë e kam përsëritur në fushatë, ne kemi insistuar në parimin e reciprocitetit i cili nuk e kuantifikon raportin me Serbinë, por paraqet një kualitet të ri për shtetin e Kosovës. Në këtë kuptim, unë nuk kam preferuar që të themi se nëse kjo shishe ujë bën një euro kur vije nga Serbia është në rregull të vijë nëse bën dy euro, pra ne nuk kemi qenë brenda një logjike të kuantifikimit material, por të subjektivitetit, integritetit, dinjitetit dhe për mua reciprociteti nuk është vetëm tregtar, është edhe shtetëror. Ta zëmë, maunet tona kur kanë kaluar në Serbi kanë pasur gjobitje për shkak se nuk janë pranuar lejet e vozitjes së shoferëve tanë, ose një vajzë ose djalë që ka mbaruar universitetin në Prishtinë, nuk mund të punësohet dot në Bujanoc, Preshevë apo Medvegjë e të tjera, certifikata e mallit tonë për shkak se shkruan Republika e Kosovës nuk pranohet në Serbi. Nëse duam marrëdhënie të mira fqinjësore, nëse duam normalizim, atëherë do të duhej të sillemi në mënyrë normale e kjo do të thotë ta respektojmë edhe tjetrin e jo vetëm ta dashurojmë vetveten. Prandaj mendoj që Serbia do të duhej që ta ndryshojë qasjen karshi Kosovës, sepse për një normalizim që e kërkojmë të gjithë, edhe ne edhe faktori ndërkombëtar, besoj që shumë më tepër duhet të ndryshojë Serbia sesa Kosova.

Zëri i Amerikës: Serbia ka pezulluar bisedimet me Kosovën shkaku i tarifave ndaj mallrave serbe. A pritni që pas heqjes së tarifave këto bisedime të rifillojnë?

Albin Kurti: Në një farë mënyre bisedimet nuk janë ndalur asnjëherë për shkak se nëpër tryeza e konferenca të ndryshme ndërkombëtare janë takuar qeveritarët, liderët e Kosovës me ata të Serbisë, kjo do të vazhdojë edhe më tutje. Unë mendoj që tash kur ne ende nuk kemi arritur ta bëjmë fuzionimin e ministrive tona nga 21 në 15 sepse do ca kohë kjo, ndërkaq që në anën tjetër ka filluar që të vlojë fushata për zgjedhjet në Serbi, nuk mendoj që mund të pritet ndonjë dialog substancial i menjëhershëm dhe rezultate të shpejta. Unë nuk jam që të vonohemi por nuk jam as që të ngutemi.

Zëri i Amerikës: Si e mendoni dialogun. Ju keni thënë që jeni të gatshëm që të merrni përsipër udhëheqjen e saj?

Albin Kurti: Padyshim, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe një aktgjykimi nga pranvera e vitit të kaluar është vulosur se është kryeministri i Republikës së Kosovës ai që udhëheq bisedimet me Serbinë, unë do të krijoj ekipin tim edhe në aspektin politik edhe në atë profesional, ndërkohë që do ta trajtojmë çështjen e atyre tridhjetë e ca marrëveshjeve të deritanishme me Serbinë, cili ka qenë zbatimi i tyre, sa është ndikimi i tyre, pse diçka ka ngelur pa zbatuar dhe në këtë mënyrë do të mund të ecim përpara më sigurt. Nga takimi që kemi pasur me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian me zotin Borrell, i cili është edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian jemi dakorduar që dialogu të përgatitet mirë, nuk e kemi komoditetin edhe për një dështim të radhës. Pra nuk jam kundër dialogut në parim, por jam për dialog të përgatitur e me parime.

Zëri i Amerikës: Si do të mund të përgatitej një dialog i tillë, nëpërmjet një konference të madhe apo nëpërmjet takimeve të herë pas hershme?

Albin Kurti: Besoj që Brukseli si kryeqytet i Bashkimit Evropian me atë çfarë simbolizon në kuptimin e vlerave dhe standardeve evropiane të paqes, të zhvillimit dhe demokracisë, do të duhej të ishte korniza e organizimit dhe mbarëvajtjes së këtyre bisedimeve. Pra na nevojitet diskutim me Brukselin për dialog me Beogradin. Në këtë kuptim, qeveria e Kosovës do të jetë e përgatitur, kjo duhet të kaloj edhe nëpërmjet një vlerësimi paraprak të marrëveshjeve të deritanishme sepse nuk është se na mungojnë

Ambasadori amerikan në Berlin i ka dhënë energji dialogut të ardhshëm midis Kosovës e Serbisë dhe është për t’u vlerësuar dinamizimi që ka bërë në kohën kur kemi një lloj stepje rrotull, një lloj hutie e cila sigurisht që nuk është pozitive


marrëveshjet me Serbinë, halli është se ato ose nuk zbatohen ose nuk kanë efekt.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, si i keni parë përfshirjen e ambasadorit Richard Grenell, që është edhe i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi dhe a ka dallime në mes të dy qendrave Washingtonit e Brukselit?

Albin Kurti: Kam përshtypjen që mund të kenë dallime por nuk janë të patejkalueshme dhe besoj që kemi kontribute nga kënde të ndryshme. Në këtë kuptim, ambasadori amerikan në Berlin i ka dhënë energji dialogut të ardhshëm midis Kosovës e Serbisë dhe është për t’u vlerësuar dinamizimi që ka bërë në kohën kur kemi një lloj stepje rrotull, një lloj hutie e cila sigurisht që nuk është pozitive dhe unë dua që të bashkëpunoj me ambasadorin Grenell në këtë aspekt, por, duhet që paralelisht me rëndësinë e kohës që ja japim lidhjeve të marrëveshjeve në të ardhmen, ta përqendrojmë vëmendjen edhe te përmbajtja e tyre dhe deri te procesi se si do të arrijmë deri te marrëveshja, meqenëse po e ritheksoj, ne nuk e kemi komoditetin edhe për një dështim të radhës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër si i keni para marrëveshjen për linjën ajrore ndërmjet Kosovës e Serbisë e lehtësuar nga ambasadori amerikan Richard Grenell dhe fillimin e diskutimeve edhe për çështjen e hekurudhave?

Albin Kurti: Ne e kemi lexuar atë shprehje të interesit, që është publikuar dhe natyrisht që do ta trajtojmë si qeveri e Republikës së Kosovës edhe me autoritetet përkatëse sepse në këtë aspekt këtu hyjnë edhe Agjencioni i Aviacionit Civil në Kosovë, Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, KFOR-i, etj, dhe pas një analize që do t’ia bëjmë kësaj me siguri do të shohim se si mund të ecim më së miri përpara. Por, ajo çka është e rëndësishme për Republikën e Kosovës është që gjithçka ta bëjë në mënyrë transparente, demokratike. me një qeveri si e jona që është e përgjegjshme dhe do të marrë përgjegjësi.

Zëri i Amerikës: Duke parë përfshirjen më të madhe të ambasadorit Grenell, a mund të arrihet një marrëveshje gjatë këtij viti?

Albin Kurti: Është e mundshme, mirëpo unë nuk do të mund të parashikoja një gjë të tillë tani. Tani mund të shprehë vullnetin tim për dialog, për bashkëbisedim të hapur e parimor dhe besoj që nuk do të duhej që duke e vënë marrëveshjen para dialogut ta dëmtojmë dialogun dhe ta pamundësojmë marrëveshjen si të tillë.

Zëri i Amerikës: A po zbehet roli i Bashkimit Evropian në këto bisedime?

Albin Kurti: Mund të jetë dukur ashtu në të kaluarën, mendoj se tash me iniciativën e zoti Borrell i cili do të përcaktoj edhe një emisar të posaçëm për raportet midis Kosovës e Serbisë, do të kemi një riaktivizim të Bashkimit Evropian që unë e konsideroj pozitiv.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër sa ishit në opozitë, ishit të zëshëm për problemet në sistemin e drejtësisë, për shkallën e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur do të mund të shohin qytetarët e Kosovës rezultate konkrete nga qeveria juaj në këtë drejtim?

Albin Kurti: Ne do ta çlirojmë prokurorinë dhe gjyqësorin nga ekzekutivi, do të fillojmë përgatitjet për procesin e Vetingut dhe me siguri që hapat e parë dhe të arriturat e para do t’i shihni në këtë vit. Por, nuk do të mund të thosha një datë në këtë vit por le të mos harrojmë që i kam dy ditë e gjysmë punë si kryeministër, ende nuk janë bërë tri ditë punë.

Zëri i Amerikës: Si do të veproni, do të shkarkoni edhe zyrtarë të institucioneve?

Albin Kurti: Gjithçka brenda kushtetutës dhe ligjit por nuk do të tolerojmë korrupsionin në institucione e do ta luftojmë edhe në shoqëri çdo herë e kudo.

Zëri i Amerikës: Në ditën kur u zgjodhët kryeministër i Kosovës, në parlament jeni përballur me shumë kritika nga partitë opozitare për qëndrimet tuaja nëpër kohë, përfshirë edhe idetë për bashkim kombëtar. Ka ndryshuar zoti Kurti nëpër kohë, apo kohët kanë ndryshuar?

Albin Kurti: Unë besoj që gjatë aktivitetit tim politik shumë vjeçar mund të

E përbashkëta jonë për shtetin e pavarur të Kosovës si Republikë sovrane e demokratike në njërën anë dhe raportet me çështjen e bashkimit të shqiptarëve si faktorizim i tyre në Ballkan dhe karshi Serbisë e cila asnjëherë nuk po e ndal aktivitetin kundër nesh, nuk janë çështje që të na bëjnë të dallojmë me njëri tjetrin, as në Kuvendin e Republikës dhe as gjetiu në jetën tonë politike, shoqërore, institucionale.


kem ndryshuar mënyra e strategji, mirëpo jo koncept e qëllim dhe në seancën kur u zgjodha kryeministër mund të them që më pak dëgjova kritika, më shumë sharje e ofendime. Por, sido që të jetë, unë dua ta respektoj opozitën dhe më shumë se kaq dua të bashkëpunoj me ta sepse ka gjëra që na dallojnë, mirëpo e përbashkëta jonë për shtetin e pavarur të Kosovës si Republikë sovrane e demokratike në njërën anë dhe raportet me çështjen e bashkimit të shqiptarëve si faktorizim i tyre në Ballkan dhe karshi Serbisë e cila asnjëherë nuk po e ndal aktivitetin kundër nesh, nuk janë çështje që të na bëjnë të dallojmë me njëri tjetrin, as në Kuvendin e Republikës dhe as gjetiu në jetën tonë politike, shoqërore, institucionale.

Zëri i Amerikës: Kohëve të fundit, marrëdhëniet, nëse mund të them, janë ftohur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë zyrtare rreth nismës për atë që është quajtur mini shëngeni Ballkanik. Ju thatë atëbotë se kryeministri Edi Rama do të duhej të priste të paktën deri në formimin e qeverisë së re. Tash kur vendi është me qeveri si do t’i qaseni kësaj nisme?

Albin Kurti: Unë synoj që javën e ardhshme të vizitoj Tiranën dhe të zhvilloj takime me liderët institucional atje, me kryeministrin Rama, me presidentin Meta, me kryeparlamentarin Ruçi, me kryetarin e opozitës Basha dhe në këtë mënyrë t’i diskutojmë së bashku këto çështje. Unë nuk jam kundër iniciativave për bashkëpunim rajonal, mirëpo aty duhet të jetë parimi i reciprocitetit dhe përderisa Republika e Shqipërisë i njeh më mirë fqinjët tanë jugor dhe perëndimor, është Republika e Kosovës ajo që i njeh më mirë fqinjët tanë lindor dhe veriorë dhe në këtë aspekt ne mund të jemi komplementar.