Kurti: Rrezik nëse Serbia avancon në integrime para shqiptarëve

Kurti: Rrezik nëse Serbia avancon në integrime para shqiptarëve

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimi që Serbia të mos marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është lajm i mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për Shqipërinë. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Kurti tha se Kosova duhet të zbatojë masa të ndërsjella politike dhe ekonomike me Serbinë e cila me asgjë nuk e ka ndryshuar qasjen e saj ndaj Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, jemi në ditët e fundit të vitit dhe zakonisht në periudha të tilla bëhen bilance të zhvillimeve. Si i shihni ju zhvillimet e këtij viti në Kosovë?

Albin Kurti: Viti 2011 mendoj se do të mbahet mend si vit i rezistencës së Kuvendit të Republikës së Kosovës ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, si vit i përpjekjeve për të mos lejuar që Republika parlamentare e Kosovës, të degradojë në republikë qeveritare të kryeministrit. Kishim dy procese të mëdha në këtë vit. Në njërën anë i kishim bisedimet e vazhdueshme me Serbinë, ku ato filluan, u ndërprenë dhe rifilluan, varësisht sipas interesave të Serbisë, për shkak se qeveria e Republikës së Kosovës me delegacionin e saj, ishte përherë në gjendje gatishmërie për këto bisedime, të cilat bënë që Serbia të duket më mirë karshi faktorëve ndërkombëtarë dhe të ketë shpresa gjithnjë e më të mëdha për avancimet e saj në integrimet evropiane. Procesi i dytë, ishte ai që pasoi manipulimin me zgjedhjet e vitit 2010 dhe u reflektua në njërin president i cili u zgjodh e u shkarkua për shkak të parregullsive kushtetuese dhe një presidente e cila, fatkeqësisht, po ashtu doli nga një marrëveshje mbi kushtetuese e jashtë institucionale. Mendoj që demokracia në Kosovë është shfaqur në brishtësinë e saj, mirëpo në anën tjetër Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke ju falënderuar edhe dinamizmit dhe parimësisë së lëvizjes Vetëvendosje, është bërë më demokratik dhe më politik se asnjëherë më parë. Pra Kuvendi nuk është më një vend ku legjitimohet qeveria, por ku përballet ajo.

Zëri i Amerikës: A ia ka dalë Kuvendi në këtë rezistencë që thoni ju? Kam parasysh faktin që ju tashmë jeni ankuar se qeveria nuk po e zbaton mocionin për masa të ndërsjella me Serbinë të miratuar nga ky Parlament.

Albin Kurti: Nga shtatë interpelanca të Kuvendit të Kosovës që janë bërë në gjithë historinë e tij, katër sosh kanë ndodhur në këtë mandat, në këtë vit, pikërisht të iniciuara nga lëvizja Vetëvendosje. Dhe interpelanca e fundit e pati edhe një mocion i cili në bashkëpunim edhe me deputetët e tjerë opozitar, u shndërrua në vendim të Kuvendit me 42 për dhe 33 vota kundër, për vendosjen e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë dhe njëkohësisht për mbështetjen e prodhuesve vendorë kosovar drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës, por sidomos, drejt zëvendësimit të mallrave që na vijnë nga Serbia. Ne i kemi dhënë afat qeverisë së Republikës së Kosovës që këtë vendim të Kuvendit si organi më i lartë politik dhe përfaqësues në vend, ta zbatojë deri më një janar të vitit 2012. Por, nëse ata nuk shprehin vullnet dhe as aftësi për ta bërë një gjë të tillë, atëherë lëvizja Vetëvendosje nga 14 janari do të punojë në zbatim të këtij vendimi nëpërmjet bllokimit të pikave kufitare me Serbinë, tek Dheu i bardhë dhe në Merdarë, prej nga me mijëra kamionë na hyjnë për çdo muaj dhe bëjnë që ne të kemi një deficit të tmerrshëm tregtar me Serbinë që nuk na e njeh pavarësinë, nuk na ka kërkuar falje, nuk na i kthen trupat e të pagjeturve, nuk na i dorëzon kriminelët serbë të luftës, vazhdon shtypjen dhe diskriminimin në Luginë të Preshevës dhe në kushtetutën e së cilës shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë. Pra, po e shihni qysh udhëheqësit politik në Beograd mbase janë ndryshe kur flasin për Evropën dhe botën por, jo kur flasin për Kosovën dhe shqiptarët në krahasim me (Sllobodan) Milloshevicin.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kurti kjo qasje e Beogradit bëri që ai të mos marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Dhe ky dështim i Beogradit u lidh drejtpërdrejt me marrëdhëniet e tij me Kosovën. A nuk është kjo në njëfarë mënyrë pagesa e tagrit që po i bënë Beogradi një qasjeje të tillë?

Albin Kurti: U bë shumë mirë që Serbia nuk e mori statusin e vendit kandidat. Është e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, nëse Serbia avancon në integrime evropiane para nesh, sepse ajo ëndërron që t’ua bëjë shqiptarëve atë që Greqia ia bënë Maqedonisë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, nuk ka vend për entuziazëm të madh ,meqenëse Serbisë vetëm i është shtyrë për tre muaj statusi i vendit kandidat. Nëse shqiptarët si institucione, si shoqëri si komb, kudo që janë, punojnë shumë, atëherë ne do të mund t’ia shtyjmë sërish Serbisë statusin e vendit kandidat, sepse besoj që angazhimi jonë është i rëndësishëm. Mos harroni se shqiptarët janë e vërteta e Serbisë, e tillë çfarë e kemi njohur gjithmonë, pra një teokraci militariste, e cila e prodhoi Milloshevicin e sot prodhon Milloshevic të tjerë më të sofistikuar.

Zëri i Amerikës: Si mund ta pengojnë shqiptarët afrimin e Serbisë me BE-në?

Albin Kurti: Qeveria e Republikës së Shqipërisë, qeveria e Republikës së Kosovës, subjektet politike shqiptare anekënd kufijve që na ndajnë padrejtësisht, intelektualët tanë, artistët, ambasadorët tanë, duhet që t’i shpeshtojnë kontaktet me faktorët ndërkombëtarë drejt sqarimit të tyre për Serbinë e cila vazhdon të mbetet nacional shoviniste dhe antishqiptare karshi gjithë kombit tonë dhe me siguri që ajo do të jap rezultatet e veta. Nuk mjafton të thuhet se opinioni publik ndërkombëtarë dhe diplomatët e politikanët ndërkombëtarë e dinë për krimet e Serbisë në Kosovë. Krime po ndodhin vazhdimisht gjithandej nëpër botë, politika shumë e shpejtë, prandaj është e domosdoshme që ne ta përsërisim të vërtetën në mënyrë që të mos lejojmë që ajo të harrohet në kujtesën ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Në kohën ku Serbisë nuk ju dha statusi, Kosova fitoi premtimin për fillimin e bisedimeve për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet kontraktuale dhe tregtare me BE-në. A nuk është kjo një shenjë se një qasje më e zbutur në rajon ndihmon afrimin e vendeve me BE-në, që është edhe kriter i BE-së për fqinjësinë e mirë, marrëdhëniet e mira?

Albin Kurti: Shqiptarët janë për integrime evropiane, por mos të harrojmë që integrimet e jashtme të shqiptarëve, nuk mund të zëvendësojnë integrimin e brendshëm të tyre. Mendoj që shumë ka rëndësi se sa të fuqishëm do të jemi kur të hyjmë një ditë në BE, sepse varësisht nga kjo do të kemi edhe pozitë më pak të mirë apo më shumë të mirë kur të jemi anëtarë të familjes së madhe evropiane. Në këtë kuptim, është e domosdoshme që si shtete, si komb shqiptar, si shoqëri shqiptare të faktorizohemi, në mënyrë që të jemi si komb dhe si shtet i përbashkët të fuqishëm në BE, e jo vetëm si individ që kanë të drejtë për qarkullim të lirë. Përderisa Serbia diskuton me Brukselin për anëtarësim si shtet, ne si Kosovë po bisedojmë me të për dialogun që do t’u paraprijë negociatave, në fund të përmbylljes së suksesshme të të cilave do ta kishim liberalizimin e vizave që nënkupton shkuarjen e individëve nënshtetas të Republikës së Kosovës në BE. Pra të mos i ngatërrojmë këto dy gjëra. Mendoj se është mirë të kemi liberalizimin e vizave, por ai nuk duhet të jetë kurrfarë shkaktari i ndonjë ekzaltimi tonin. Kur përparojmë si komb, kur përparojmë si shtet, përparojmë secili prej nesh. Ndërkaq, nëse kërkojmë vetëm zgjidhje individuale, atëherë mbase edhe mund ta shtyjmë këtë suksesin kolektiv. Prandaj nuk duhet të mjaftohemi me premtime të tilla për dialog, për negociata, për liberalizim vizash.

Zëri i Amerikës: Kjo mundësi u hap vetëm pas përfshirjes së Kosovës në dialogun për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta, bisedime që ju shpeshherë i keni kundërshtuar. A nuk është ky një obligim shtetërorë që Kosova e të detyrueshëm ta përfundojë?

Albin Kurti: Kur është shpallur shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, atëherë kjo e ka kuptimin nëse kemi shumë më shumë të drejta e jo shumë më shumë obligime. Pra, cili është kuptimi të shpallesh i pavarur dhe të shtohen obligimet e jo të drejtat. Mendoj që jemi në fazën kur duhet të shfrytëzojmë të drejtat e një vendi që aspiron të bëhet sovran dhe jo vetëm të na shtohen obligimet. Pra, liberalizimi i vizave është një gjë shumë e mirë, mirëpo nëse çmimi për të kanë qenë bisedimet me Serbinë shoviniste për çështje të brendshme të Kosovës, atëherë ky është një çmim tepër i madh të cilin ne nuk duhet të pranojmë që ta paguajmë. Prandaj shqiptarët, duhet të kenë liberalizimin e vizave, por jo ta fitojnë atë duke dhënë funksionalitet të shtetit e duke dhënë territor të vendit.

Zëri i Amerikës: E keni fjalën për veriun e Kosovës?

Albin Kurti: E kam fjalën edhe për veriun e Kosovës edhe për dobësimin e kufirit Kosovë- Serbi.

Zëri i Amerikës: Kjo çështje tash e 12 vjet është problemi numër një i Kosovës. Nga pikëpamja juaj si mund të zgjidhet kjo?

Albin Kurti: Nuk mund ta bashkojmë Mitrovicën, duke u sjellë mirë më Serbinë, jo vetëm për shkak se përvoja na mëson që kush sillet mirë me Serbinë e bënë Serbinë më të keqe. Duhet një sërë veprimesh politike dhe të sigurisë dhe socio ekonomike në mënyrë që ta bashkojmë Mitrovicën, ta shtrijmë sovranitetin në veri dhe ta kemi integritetin territorial dhe të kufijve atje. Në lagjet e banuara me shqiptarë, që janë rreth 4 mijë atje, duhet të vendosen bazat e policisë së Kosovës, qofshin ato stacione ose nënstacione policore. Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet të shpallen Ushtri e Kosovës, sepse është e turpshme që Mali i Zi e Maqedonia të kenë ushtri e jo ne. Dhe gjithashtu duhet që të mos lejohet blerja e pronave të shqiptarëve nga Serbia. Nëse ka shqiptar të varfër që detyrohen të shesin pronën, le ta blejë qeveria e Kosovës. Mandej duhet të kthehen shqiptarët atje, për shkak se në veriun e qytetit të Mitrovicës, shqiptarët kanë qenë shumicë deri në shkurt të vitit 2000 kur para syve të KFOR-it francez janë varrë 11 shqiptarë, gjashtë meshkuj dhe pesë gra dhe njëkohësisht janë dëbuar 11 mijë e 364 shqiptarë përgjatë atij muaji. Mandej duhet të krijohet përparësi në punësim, në arsim, shëndetësi, për njerëzit atje dhe me transport falas veri – jug dhe anasjelltas, revitalizimi i Trepçës. Një plan intensiv për zhvillim të shpejtë ekonomik dhe unë jam i bindur që kjo është e mundur, e kemi këtë të drejtë dhe duhet t’ia shtojmë vullnetin politik.

Zëri i Amerikës: Ka pasur shumë ide rreth mundësisë së zgjidhjes së çështjes së veriut të Kosovës, nga ato për ndarjen tokësore të Kosovës e deri tek modelet e Tirolit jugor, Irlandës, dy Gjermanive etj. A janë të mundshme këto opsione?

Albin Kurti: Ose Kosova do të bëhet shtet sovran i cili do të bëhet shtet pra normal, demokratik, i zhvilluar me kufij të mbrojtur, ose do të bosnjëzohet. Mendoj që midis këtyre dy mundësive nuk duhet të kemi dilema se duhet të zgjedhim të parën. Dhe bëhesh sovran, atëherë kur ndërmerr veprime sovrane. Është e drejtë e jona. Këtë do të mund ta ushtronim edhe ne bashkëpunim me shtetet e tjera që na kanë njohur anembanë globit e posaçërisht në bashkëpunim me Shqipërinë, mandej SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë e kështu me radhë. Mendoj se është koha për marrëveshje bilaterale drejt bërjes së Kosovës sovrane ashtu siç është shpallur ajo, sepse demokracia është e domosdoshme, por është e pamjaftueshme dhe e paqëndrueshme në kushtet kur të mungon ushtria, integriteti territorial dhe zhvillimi ekonomik.