Kurdët akuzojnë forcat turke për sulm me napalm

sulmet e ushtrisë turke ndaj qytetit Afrin

Zyrtarët kurdë thonë se forcat turke kanë hedhur predha me napalm në atë që ata e përshkruajnë si bombardim pa dallim të fshatrave rreth Afrinit, një enklavë kurde ndaj së cilës forcat turke kanë nisur që para një jave operacionin e quajtur "Dega e Ullirit".

Ushtria turke përdor arsenalin e e bombave me napalm në Afrin kundër civilëve, shkroi të shtunën në Twiter politikani sirian-kurd Îlham Ehmed. Akuza u hodh poshtë nga ushtria turke, që tha se me lajme të tilla propagandistët kurdë shpresojnë të nxisin opozitën ndërkombëtare ndaj Turqisë.

E drejta ndërkombëtare nuk ndalon hedhjen e napalmit, që përdoret në bomba zjarri, kundër objektivave ushtarakë, por e ndalon atë për përdorim kundër civilëve.

Nuk ka pasur verifikim të pavarur të përdorimit të napalmit gjatë ofensivës turke – por vërtetimi vështirësohet, ndërsa kurdët akuzojnë dhe turqit i hedhin poshtë akuzat.


Lufta vazhdoi në Sirinë veriore të dielën midis forcave turke dhe njësive të mbrojtjes së popullsisë (YPG) të milicisë kurde të mbështetura nga SHBA.

Të dyja palët pretendojnë suksese në betejat e ashpra që po zhvillohen.

Të shtunën, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan i befasoi zyrtarët perëndimorë duke kërcënuar të zgjeronte sulmin përgjatë gjithë kufirit me Sirinë në përpjekjen e tij për të shtypur YPG-në, të cilën ai e përshkruan si "organizatë terroriste." Kërcënimi i kryeministrit turk nxiti ministrin e jashtëm francez Jean -Vers Le Drian t'i kërkojë Turqisë të veprojë me përmbajtje në Siri, në një bisedë telefonike me homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu.

Pretendimi dhe kundërshtimi

Përcaktimi i saktësisë së numrit të viktimave është po ashtu i vështirë. Aktivistët politikë sirianë në terren në Sirinë veriore thonë se të dyja palët po i ekzagjerojnë humbjet e shkaktuara nga pala tjetër.

Zyrtarët ushtarakë në Ankara të dielën pohuan se forcat turke dhe aleatët e tyre sirianë, mbetje të Ushtrisë së Lirë Siriane që luftojnë kundër Presidentit Sirian Bashar al-Assad, kanë vrarë ose kapur më shumë se 484 milicë kurdë që nga nisja e Operacionit "Dega e Ullirit".

Ata thonë se në javën që nga fillimi i një operacionit që kërcënon të zhbëjë politikën e SHBA-së në Siri, vetëm tre ushtarë turq janë vrarë dhe 30 janë plagosur, ndërsa 13 rebelë sirianë janë vrarë dhe 24 janë plagosur.

Ushtria turke po bllokon gazetarët që të hyjnë në Siri për të mbuluar luftën, por organizoi një turne për gazetarët, të cilët javën e kaluar u morën për të parë spitalin dhe shkollën në qytetin kufitar sirian Azaz, të rindërtuar nga turqit pas sulmit të tyre në Sirinë veriore në vitin 2016. Të nxitur nga mësuesit e tyre, fëmijët refugjatë sirianë u thanë gazetarëve se i ishin mirënjohës Turqisë për shkollën.

Kurdët po ofrojnë një version të ndryshëm të asaj që po zhvillohet në fshatrat rreth Afrinit, duke postuar videot ku tregohen bombardime turke kundër civilëve, përfshirë fëmijë të plagosur. Ata kanë postuar edhe videot ku tregohen vullnetarë të huaj, duke përfshirë disa amerikanë, të cilët u bashkuan me YPG-në për të luftuar grupin terrorist Shteti Islamik, por që thonë se tani do të shkojnë në Afrin për ta mbrojtur atë nga turqit.

"Turqit janë terroristë", tha një vullnetar amerikan në një video të postuar javën e kaluar nga zyra e shtypit e YPG. Një tjetër tha: "Ne jemi gati të shkojmë në Afrin për të luftuar pushtimin turk. Ne jemi stërvitur shumë në taktikat që janë të efektshme kundër çdo force të tillë".