Jeenah Moon ka parë gjithçka si fotoreportere e agjencisë së lajmeve Reuters e vendosur në Nju Jork. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Nelson tregon se çfarë ka parë fotoreporterja nga prapa lentes së kamerës.
Një koncert Krishtlindjesh në shkallët e katedrales historike episkopale të Shën Gjonit në Nju Jork, u mbajt nën qiell të hapur për shkak të kufizimeve të koronavirusit. Shfaqja po mbaronte kur disa vetë- përfshirë një gazetare të Zërit të Amerikës me fëmijën e saj - qëndruan për të parë pjesën e brendshme të katedrales.
Papritmas u dëgjuan disa goditje të forta.
Njerëzit filluan të vraponin të tmerruar, duke u fshehur pas makinave dhe pemëve.
Një burrë që qëndronte pranë derës së kishës, me dy armë dhe me kapele dhe maskë, po qëllonte në ajër. Ai më pas u qëllua dhe u vra nga policia.
Fotografia që kapi këtë episod u shkrep nga fotoreporterja e agjencisë Reuters, Jeenah Moon.
"Nuk mund ta shihja sepse ishte në cep. E di që ishte një makinë atje, në rrugë, kështu që po shkoja anash. Dhe e pashë personin atje. Provova të fshihesha dhe të fotografoja”, thotë fotoreporterja.
"Nuk kishte kohë për t’u frikësuar, duhet të kuptosh se çfarë po ndodh dhe po mendoja – unë jam këtu, çfarë të bëj? Duhet të fotografoj. // Një burrë dhe një grua përqafuar pas një peme, madje as nuk i hidhnin sytë këtej sepse ishin të frikësuar. Ishte surreale, sikur fotografoja një skenë filmi, nuk duhej të ndodhte në një ditë aq të të bukur."
Jeenah Moon është 39 vjeç. E lindur në Seul të Koresë së Jugut, ajo do të kishte patur një jetë shumë tradicionale po të mos kishte vendosur në moshën njëzet vjeçare të largohej nga vendi - pa para dhe asnjë kontakt. Ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara, hyri në një universitet ku studjoi histori arti. Një ditë profesori shfaqi për klasën një film për fotografin e ushtrisë, James Nachtwey.
"Nuk doja të shihja. A do të ikja nga sytë këmbët, apo do të merrja përgjegjësinë të isha i pranishëm me aparatin fotografik?” shprehej Nachtwey.
Atë moment, Moon kuptoi se sa e fuqishme ishte fotografia. Ajo vendosi të ndryshojë rrugën e karrierës së saj dhe u diplomua në Shkollën e Qendrës Ndërkombëtare të Fotografisë në Nju jork.
Iu desh gjysmë dekade dhe punë intensive për t'u shndërruar nga një fotografe e panjohur në një fotoreportere të njohur dhe të respektuar agjencitë Getty Images, Bloomberg, AP dhe Reuters.
"Mendoj se profesioni i fotoreporterit ishte i mbizotëruar nga meshkujt. Situata ka ndryshuar, por gazetareve femra vazhdon t’u duhet të punojnë më shumë për të pasur të drejta të barabarta. // Si një fotografe aziatike më duhet të punoj dy herë, tre herë më shumë", thotë ajo.
Për Jeenah Moon, të jesh e fortë dhe e guximshme nuk do të thotë të mos kesh frikë.
"Po dridhesha, zemra më rrihte si e çmendur, mezi po merrja frymë. Fola me redaktorin tim dhe i thashë se dikush kishte hapur zjarr. Ai më tha të merrja frymë, të mos nxitohesha. Me të vërtetë më qetësoi”, tregon ajo.
Pasi ajo bëri ato fotografi që më pas u botuan në faqet e para të gazetave, Reuters i dërgoi fotoreporteres Moon një letër, ku vlerësonte punën dhe guximin e saj.
Moon shpesh citon një nga fotoreporterët e saj të preferuar, hungarezo-amerikanin Robert Capa, që ishte shprehur: "Nëse fotografitë e tua nuk janë shumë të mira, do të thotë që nuk je aq afër sa ç’duhet".
Edhe nëse afërsia do të thotë të vësh veten në rrezik.