Kuqi dhe Marnhac: Veprimet individuale nuk dëmtojnë marrëdhëniet Kosovë - EULEX

Kuqi dhe Marnhac: Veprimet individuale nuk dëmtojnë marrëdhëniet Kosovë - EULEX

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, thanë se asnjë veprim individual nuk mund të dëmtojë marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të vendit dhe EULEX-it.

Këto komente u bënë pas vendimit të shefit të këtij misioni, Xavier Bout de Marnhac, për pezullimin e një punonjësi ndërkombëtar të këtij misioni, ndaj të cilit po zhvillohen hetime për keqpërdorim të postit zyrtar.

Mediet në Kosovë shkruan këto ditë se një punonjës i lartë i EULEX-it, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, duke keqtrajtuar personelin vendas të misionit dhe duke i kërcënuar ata në rast të denoncimit. Zoti de Marnhac tha sot se po e trajton seriozisht këtë çështje dhe për këtë arsye ka urdhëruar hetime të menjëhershme.

Jam duke pritur përfundimet e këtij hetimi të brendshëm për të ndërmarrë vendimet e domosdoshme”, tha zoti De Marnhac, duke nënvizuar se në kuadër të këtyre hetimeve janë bërë edhe disa transferime të punonjësve të këtij misioni.

Sot gjatë ditës Këshilli për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ,nëpërmjet një komunikate, hodhi dyshimet se, siç thuhet, pezullimi i punonjësit të EULEX-it ishte përpjekje të mos zhvillohen hetimet deri në fund dhe se kjo masë është e pamjaftueshme. Sipas këtij Këshilli, një masë e tillë është një mesazh i keq për qytetarin e Kosovës.

Zoti De Marnhac thotë se masat e përshtatshme mund të merren vetëm në fund të hetimeve. “Ne po flasim për pretendime dhe nuk dua që kushdo qoftë të dënohet ende pa përfunduar hetimet rreth asaj se çfarë vërtetë ka ndodhur. Nëse duhet të merren hapa të fortë, nuk do të mëdyshem t’i ndërmarrë” tha ai, i mbështetur edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi.

Unë besoj se vendimi i zotit Marnhac për suspendimin ka qenë i drejtë dhe është një sinjal i mirë se ka përgjegjësi për veprimit e secilit edhe anëtar të EULEX-it dhe natyrisht, procedurat tjera janë ligjore. Udhëheqësit, kudo, kanë të drejtë të marrin masa disiplinore. Përgjegjësia penale u mbetet gjykatave”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Kuqi tha se kjo ngjarje nuk do të ndikojë në marrëdhëniet me EULEX-in.

Ne e kemi të qartë që veprimet individuale nuk i prishin raportet në mes të EULEX-it dhe qeverisë së Kosovës. Sikur që e kemi të qarta që veprimet e tilla duhet të jenë të përgjegjshme dhe në përputhje me ligjin t’i kenë edhe përgjegjësitë e tyre”, tha zv/kryeministri Kuqi.

Të dy zyrtarët i bënë këto komente pas takimit të bordit të përbashkët për sundimin e ligjit, i cili u takua për herë të parë që nga shtatori i vitit të kaluar për të diskutuar përparësitë e përpjekjeve për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë Kosovën, përfshirë dhe veriun me shumicë serbe ku nuk pranohet autoriteti i Prishtinës.

Ndonëse ishte paralajmëruar disa herë, edhe më tej në veriun e Kosovës gjykatat veprojnë vetëm pjesërisht që nga marsi i vitit 2008, kur ato u bllokuan në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Që nga atëherë, në ato gjykata nuk punojnë gjykatës vendas dhe tash për tash, sipas zotit de Marnhac, nuk duket se ka ndonjë mundësi që kjo të ndodhë, meqë nuk ka siç tha ai, një marrëveshje politike.

Duhet të kemi një marrëveshje që gjykatësit vendas të kthehen atje dhe tash për tash nuk ka një të tillë dhe përfundimisht duhet të ketë një marrëveshje politike dhe këto çështje do të duhej të gjenin vend në bisedimet që tashmë kanë filluar me ndërmjetësimin e Brukselit”, tha ai, duke nënvizuar se kjo çështje është pjesë e një plani të përbashkët për muajt në vijim.