Në Shqipëri, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e lartë diplomatik të Shteteve të Bashkuara, OSBE-së, delegacionit të Bashkimit Evropian dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
Në takimin e zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama ka informuar diplomatët perëndimorë për situatën e krijuar lidhur me zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Sipas deputetit Damian GJiknuri, kryetari socialist ka paraqitur provat dhe materialet që sipas tij vërtetojnë shkeljet dhe manipulimet në Tiranë. Sipas socialistëve të cilët i janë drejtuar edhe Kolegjit Zgjedhor duke kërkuar pavlefshmërinë e garës për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, në të paktën 284 qendra votimi janë vënë re mospërputhje të shifrave mes fletëve të votimit dhe votuesve.
Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri kanë qenë sot edhe në qendër të misionit të dy anëtarëve të asamblesë së Këshillit te Europës të cilët pritet të hartojnë edhe një raport. Ata janë takuar sot me përfaqësues të ndryshëm politik, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, kryetarin socialist Edi Rama dhe Kryeministrin Sali Berisha.
Zoti Berisha ka ripërsëritur se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për të trajtuar të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme, ka theksuar ai.