MOSKË - Kremlini hodhi poshtë akuzat se fshihet pas sëmundjes së papritur të një politikani kryesor opozitar rus, një ditë pasi hetimi i shumëpritur i Gjermanisë arriti në përfundimin se kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, ishte helmuar nga një agjent nervor i llojit ushtarak, i prodhuar gjatë epokës sovjetike.
Hetimi gjerman, gjetjet e të cilit u njoftuan të mërkurën nga kancelarja gjermane Angela Merkel, arriti në përfundimin se zoti Navalny ishte shtruar në një spital të Berlinit, për t'u shëruar nga "Novichok", një toksinë e epokës sovjetike që Kancelarja Merkel tha se ishte një përpjekje e qartë për t'i marrë jetën politikanit opozitar, nga aktorë të sponsorizuar nga shteti në Rusi.
“Alexei Navalny ishte viktimë e një sulmi me një agjent nervor kimik të grupit Novichok. Ky helm u identifikua pa asnjë dyshim në teste”, tha zonja Merkel.
"Ka pikëpyetje serioze të cilave vetëm qeveria ruse mund t'u përgjigjet".
Megjithatë Kremlini hodhi menjëherë dyshime për diagnozën, duke këmbëngulur se mjekët rusë bënë analiza që nuk treguan shenja të agjentit nervor - aq më pak helmim - para se zoti Navalny të evakuohej në Berlin nga një spital siberian në 22 gusht.
"Para se pacienti të merrej në Gjermani, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, u bënë një seri e tërë testesh në Rusi dhe nuk u gjet asnjë substancë helmuese", tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, duke reaguar ndaj njoftimit të Kancelares Merkel.
“Nuk ka arsye për të akuzuar shtetin rus. Dhe ne nuk jemi të prirur të pranojmë asnjë akuzë në këtë drejtim”, shtoi zoti Peskov.
Ministria e Jashtme e Rusisë gjithashtu e refuzoi raportin dhe këmbënguli se ambasadori i saj në Gjermani ishte thirrur nga autoritetet gjermane, por nuk i ishin paraqitur prova.
"Ku janë faktet, ku janë formulat, të paktën një lloj informacioni?", pyeti zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova, në një intervistë në Kanalin 1 të televizionit shtetëror të Rusisë.
Megjithatë, këshilltari kryesor i zotit Navalny, Leonid Volkov, këmbënguli se thjesht gjurmët e substancës Novichok, një armë e ndaluar ushtarake e zhvilluar për herë të parë në Bashkimin Sovjetik - përcakton bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të udhëheqjes ruse.
“Novichok-u do të thotë se ishte Putini. Nuk është diçka që mund ta "marrësh në farmaci", tha zoti Volkov në një postim në Facebook.
Zoti Volkov e krahasoi pikasjen nga gjermanët të substancës së prodhuar nga sovjetikët, me lënien e një autografi të shkruar në gjak në skenën e një krimi.
Shtëpia e Bardhë reagoi nëpërmjet zëdhënëses Kayleigh McEnany, duke shprehur shqetësimin e thellë për rezultatet për helmimin e zotit Navalny, një akt thellësisht i dënueshëm. Rusia ka përdorur agjentë kimikë nervorë në të kaluarën, tha zonja McEnany, dhe ne po punojmë me aleatët tanë dhe komunitetin ndërkombëtar për t'i vendosur përpara përgjegjësisë personat në Rusi tek të cilët të çojnë provat, si dhe për të kufizuar fondet për aktivitetet e tyre keqbërëse. Ajo shtoi se populli rus ka të drejtën të shprehë pikëpamjet e tij paqësisht pa pasur frikë nga ndëshkimi i çfarëdo lloji, dhe sigurisht jo me agjentë kimikë, dhe se askush nuk ka qenë më i ashpër ndaj qeverisë ruse se Presidenti Trump.
Pasojat ndërkombëtare
Gjetjet - dhe realitetet e kundërta - sugjerojnë se Rusia është drejt një përplasjeje të përsëritur me fuqitë perëndimore, të ngjashme me pasojat pas përpjekjes për helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia në Salisbury, Angli në vitin 2018.
Të dy anëtarët e familjes Skripal arritën të mbijetojnë, ndërsa hetuesit britanikë arritën në përfundimin se Novichok ishte "shumë i mundshëm" të ishte përdorur për helmimet - një term i përqeshur së tepërmi nga Ministria e Jashtme e Rusisë dhe media shtetërore e Kremlinit si provë e akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht kundër Rusisë.
Një grua britanike më vonë vdiq nga ekspozimi aksidental ndaj substancës.
Helmimet në Salisbury gjithashtu shkaktuan dëbimin e më shumë se 100 diplomatëve rusë dhe sanksione shtesë nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe aleatët e tjerë perëndimorë - një spektër që Kancelarja Merkel sugjeroi se mund të ishte duke u shfaqur sërish në horizont.
Kancelarja tha se ajo kishte njoftuar vendet partnere të BE-së dhe NATO-s për raportin gjerman dhe se aleatët do të bënin "një reagim të përshtatshëm dhe të përbashkët" ndaj Rusisë.
Helmimi bëri jehonë gjithashtu në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, me kandidatin demokrat Joe Biden që akuzoi Kremlinin për një "përpjekje të egër dhe revoltuese ndaj jetës së zotit Navalny" dhe Presidentin Donald Trump se dështoi t'i kundërvihej Presidentit rus Vladimir Putin.
Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka shprehur më parë shqetësim në lidhje me gjendjen e zotit Navalny dhe pati bërë thirrje për një hetim "nëse raportet provohen të sakta" në lidhje me një helmim të qëllimshëm.
Ndërkohë, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë po fillon hetimin e saj mbi sëmundjen e zotit Navalny - duke argumentuar se udhëheqësi i opozitës u helmua nga shërbimet perëndimore në një përpjekje për të nxirë reputacionin e Rusisë dhe ndoshta për të prishur një projekt kryesor të gazit mes Gjermanisë dhe Rusisë.
Presidenti Trump ka vendosur sanksione ndaj kompanive evropiane që ndihmojnë Rusinë të përfundojë një marrëveshje kryesore të tubacionit të gazit në Gjermani të njohur si Nord Stream 2.
Të enjten pati thirrje nga ligjvënës gjermanë për të rishikuar marrëveshjen.
Sëmundja e papritur
Zoti Navalny u sëmur gjatë një fluturimi për në Moskë nga Siberia më 20 gusht - duke e detyruar pilotin të kryente një ulje emergjente në qytetin Omsk.
Brenda disa orësh, u dha lajmi se lideri i opozitës ishte në koma në një spital lokal duke luftuar për jetën e tij.
Megjithatë, mjekët rusë fillimisht vonuan transferimin e tij për trajtim mjekësor në Berlin, Gjermani - duke argumentuar se gjendja e tij ishte shumë e brishtë për të udhëtuar, pavarësisht dëshirave të familjes Navalny.
Familja dhe mbështetësit e zotit Navalny argumentojnë se vonesat kishin për qëllim të fshehin llojin e toksinës që kishte prekur liderin e opozitës.
Në të vërtetë, në prag të publikimit të raportit gjerman, Kremlini kishte argumentuar se nuk kishte asnjë bazë për të hetuar se çfarë kishte shkaktuar sëmundjen e papritur të zotit Navalny.
Ai aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Spitalin Charite të Berlinit, ku mjekët thonë se ai mbetet i sëmurë rëndë, i vendosur nga mjekët në gjendje kome.
Zoti Navalny ka qenë prej kohësh një figurë problematike për Kremlinin - duke detajuar korrupsionin dhe teprimet në nivelet më të larta të qeverisë në kanalin e tij popullor në YouTube.
Kombinimi i gazetarisë hulumtuese dhe humorit therës të këtij kanali ka bërë jehonë veçanërisht me rusët e rinj - dhe ka bërë shumë armiq në qarqet qeveritare dhe të biznesit.
Zoti Navalny gjithashtu nuk i ka fshehur ambiciet e tij politike. Ai u përpoq të zhvillonte një fushatë për president në vitin 2018 që përfundimisht u zhbë nga një proces gjyqësor i tejzgjatur.
Mbështetësit e tij, si dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ranë dakord se akuzat u ngritën për ta mbajtur atë larg politikës.
Pavarësisht nga rëndësia e zotit Navalny si një kritik kryesor i Kremlinit, zyrtarët e qeverisë kanë një politikë jozyrtare për të mos përmendur kurrë emrin e tij - një traditë që zëdhënësi i Kremlinit vazhdoi edhe kur merrej me pyetjet rreth helmimit të udhëheqësit të opozitës.
"Jemi pa dyshim të interesuar të zbulojmë shkakun pas asaj që ndodhi", tha zoti Peskov, duke iu referuar zotit Navalny thjesht si "pacienti i Berlinit ".