Krasniqi: Diversiteti kulturor në Kosovë në funksion të tolerancës dhe bashkimit

Krasniqi: Diversiteti kulturor në Kosovë në funksion të tolerancës dhe bashkimit

Ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se çështja e trashëgimisë kulturore do të jetë pjesë e bisedimeve teknike që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai beson se këto bisedime do të mundësojnë kthimin e mbi një mijë artefakteve arkeologjike e etnologjike që ishin marrë nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë Besim Abazi, ministri Krasniqi tha se Kosova ka një trashëgimi të pasur dhe të llojllojshme që duhet të jetë në funksion të tolerancës dhe bashkimit të qytetarëve të shtetit të ri.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, ju drejtoni një ministri e cila është bërë e njohur edhe për buxhetin e vogël kundruall gamës së gjerë të çështjeve me të cilat merret ajo. A është njësoj situata në këtë resor?

Memli Krasniqi: Realisht, është e vërtetë që dikasteret që mbulojnë kulturën, jo vetëm në Kosovës, por edhe në gjithë rajonin, nuk kanë ndonjë buxhet për t’u respektuar. Ne vazhdojmë të kemi një buxhet që përkon, përafërsisht me një për qind të buxhetit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Këtë vit kemi një ngritje, që është për t’u përshëndetur, por ende është larg prej mbulimit të të gjitha nevojave dhe kërkesave legjitime. Ne kemi një buxhet prej 13 milion e 100 mijë eurosh, por një buxhet i tillë, nuk mjafton për të mbuluar të gjitha kërkesat në fushën e kulturës, sportit, trashëgimisë kulturore e kështu me radhë. Sepse, ne kemi një portofol mjaft të gjerë si ministri, që mbulojmë disa fusha dhe në të gjitha këto ka mjaft kërkesa dhe ka mjaft sfida.

Zëri i Amerikës: Ndër çështjet më të diskutueshme është ajo e trashëgimisë kulturore. Çfarë është gjendja e kësaj trashëgimie aktualisht në Kosovë?

Memli Krasniqi: Realisht, çështja e trashëgimisë kulturore është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne si ministri e kemi prioritizuar mjaft. Tashmë ekziston edhe një departament për trashëgiminë kulturore brenda ministrisë, i cili i koordinon të gjitha aktivitetet dhe angazhimet tona në këtë fushë. Trashëgimia kulturore e Kosovës është padyshim shumë e pasur. Është ndër begatitë më të mëdha që i kemi si vend. Por, po ashtu është ndër fushat ku ne kemi nevojë të jashtëzakonshme për investime, sepse për t’u kujdesur në mënyrë adekuate dhe më të denjë për këtë trashëgimi jashtëzakonisht të pasur, padyshim se duhet të ketë investime dhe fonde më të mëdha të cilat do të ndihmonin në konservimin e kësaj trashëgimie, në restaurimin e saj, në gërmime të reja arkeologjike, meqenëse ne e dimë se në territorin e Kosovës ka shtresa të civilizimeve për mijëra vite. Dëshmitë e saj ekzistojnë, por padyshim edhe trashëgimia materiale e cila gjendet në Kosovë, është në një gjendje jo fort të mirë në disa raste dhe ekziston një nevojë imediate për të përmirësuar qasjen ndaj saj.

Zëri i Amerikës: Thatë se duhen shumë investime që nuk mund të mbulohen me 13 milionët e ministrisë suaj. A keni mbështetje nga mekanizma ndërkombëtarë përfshirë edhe UNESCO-n e cila për arsye politike nuk duket shumë e përfshirë në Kosovë?

Memli Krasniqi: Në vitet e pasluftës ka pasur një angazhim edhe nga komuniteti i donatorëve dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe janë bërë investime të ndjeshme. Ajo që ka munguar, ka qenë një bashkërendim adekuat i punëve, ku institucionet e Kosovës do të ishin në udhëheqje, do të kishin timonin në këtë proces. Ajo që unë jam duke punuar që të arrihet, është që ta bëjmë pikërisht këtë dhe kemi bërë hapa pozitiv, veçanërisht për çështje të caktuara. Ta zëmë, në këta dy muajt e fundit kemi arritur që të krijojmë një grup punues që do të merret konkretisht me çështjen e zonës historike të Novo Bërdës, që është nja pasuri jashtëzakonisht e madhe në trashëgiminë tonë kulturore dhe që ka nevojë që të bëhet një udhëzues se si t’i qasemi deri në restaurimin e plotë të kësaj zone. Po ashtu, kemi pasur një aktivitet të rëndësishëm që ndërlidhet me aktivitetet që do të ndërmerren sa u përket zonave historike urbane, siç është rasti i zonës historike të Prizrenit dhe zonave të tjera. Po ashtu, jemi në përfundim e sipër të një dokumenti jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka të bëjë me një qasje moderne sa i përket trashëgimisë, e që është konservimi i integruar. Është e vërtetë që ka donacione të ndjeshme që duhet vlerësuar e të cilat është e udhës që t’i koordinojmë. Edhe UNESCO-ja, që ju e përmendët, ka pasur një involvim në Kosovë. Për arsye politike, meqë ne nuk jemi ende anëtar i OKB-së si shtet, ata kanë pasur disa pamundësi të një bashkërendimi më të mirë. Por, unë jam takuar me zyrtarë të UNESCO-së, besoj që ka qenë takimi i parë i qeverisë së Kosovës dhe udhëheqësve të UNESCO-s për rajonin, dhe i kam shtruar këto shqetësime dhe kam kërkuar një koordinim më të mirë, duke i marrë parasysh edhe ndjeshmëritë politike.

Zëri i Amërikës: Kur jemi tek ndjeshmëria politike, edhe më tej ka shumë diskutime për trashëgiminë kulturore e fetare, ne veçanti për tempujt e ritit ortodoks, një pjesë e të cilëve dolën të dëmtuar pas trazirave të marsit të vitit 2004. A është përmbyllur ende rindërtimi i tyre?

Memli Krasniqi: Realisht, po. Pas trazirave fatkeqe të marsit 2004, ju e dini që ka qenë një proces i rindërtimit dhe është krijuar një komision për implementimin e rindërtimit, siç quhej, në të cilin kanë marrë pjesë institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe dhe është udhëhequr nga përfaqësuesit e Këshillit të Evropës. Tanimë mund të thuhet se puna e tyre ka përfunduar dhe fondet e alokuara janë harxhuar në këtë drejtim. Janë bërë restaurimet e nevojshme, janë bërë pranim-dorëzimet dhe tani jemi në një moment para përfundimit formal të punës së këtij komisioni.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, Kosova aktualisht ndodhet në një proces bisedimesh me Serbinë për çështjet praktike të interesit të ndërsjellë. A është trashëgimia kulturore pjesë e këtyre bisedimeve?

Memli Krasniqi: Absolutisht po, është një nga çështjet që, ne besojmë, do të trajtohet në një nga raundet e ardhshme. Çështja e trashëgimisë kulturore ka qenë realisht edhe një temë e cila është diskutuar gjatë në kohën e procesit të Vjenës kur bisedohej për statusin e Kosovës dhe ka një aneks në pakon e (Martti) Ahtisaarit, që është aneksi pesë, i cili e trajton në mënyrë shumë sistematike çështjen e trashëgimisë, konkretisht të trashëgimisë serbe apo ortodokse, siç jemi mësuar ta quajmë, meqë, në fakt, nuk është nja qasje e duhur, meqenëse trashëgimia si e tillë, është trashëgimi e Kosovës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime. Tani ne besojmë se duhet të iniciohet si çështje trashëgimia, meqë, po e zëmë vetëm një shembull, në janar të vitit 1999, në mënyrë krejt të padrejtë, autoritetet e Serbisë kanë marrë nga Muzeu i Kosovës, 1 mijë e 248 artefakte arkeologjike dhe etnologjike, të cilat ende janë në Serbi dhe vetëm një prej tyre, e famshmja “Hyjnesha në fron” është kthyer, ndërsa 1mijë 247 ende mbesin padrejtësisht në duart e autoriteteve në Serbi. Ne kemi kërkuar me ngulm kthimin e tyre por deri tash ka munguar vullneti nga pala serbe e cila i ka në posedim.

Zëri i Amerikës: A ka pasur përgjigje ndonjëherë prej tyre?

Memli Krasniqi: Absolutisht, kurrë s’ka pasur një përgjigje të plotë. Ka pasur para disa vitesh momente shprese, ose momente kur është thënë “do të shohim”, apo “do të bëhet”, por që realisht nuk ka pasur asnjëherë vullnet dhe duke pasur parasysh faktin se ata i kanë pasur në posedim dhe i kanë ende edhe pse në mënyrë të padrejtë, realisht mungesa e vullnetit ka qenë edhe determinuese që ky proces të mos ndodhë. Ne kemi besim se kjo do të mund të ndryshojë tani me procesin e dialogut teknik. Jemi absolutisht të interesuar që sa më parë t’i kthejmë këto artefakte që i takojnë Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe që janë një dëshmi për historinë tonë të pasur.

Zëri i Amerikës: Po i kthehemi sërish çështjes së identifikimit të trashëgimisë kulturore e fetare me një komunitet të caktuar. Si mendoni ta tejkaloni këtë?

Memli Krasniqi: Çështjet që ndërlidhen me pjesën kushtimisht politike dhe që përfshihen në pakon e Ahtisaarit, janë çështje të cilat janë edhe pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Janë çështje që janë pranuar nga të gjitha forcat politike, por edhe nga qytetarët e Kosovës dhe realisht janë çështje që nuk cenojnë në asnjë mënyrë aspektin politik – kushtetuese të vendit tonë, por që janë bërë në një moment të caktuar më shumë ndoshta edhe si garanci për ruajtjen e trashëgimisë së komunitetit të caktuar etnik apo religjioz në Kosovë, në këtë rast të komunitetit serb dhe atij ortodoks. Çështja është se në kuptimin, po e quaj, konceptual dhe si qasje, trashëgimia kulturore, pa marrë parasysh se a lidhet me një civilizim të caktuar, me një religjion, me një komunitet etnik apo tjetër, në kuptimin e përgjithshëm është një trashëgimi që i takon kësaj hapësire, këtij territori, këtij komuniteti, në kuptimin e përgjithshëm, si Republikë e Kosovës. Pastaj, normalisht se komunitetet e caktuar e kanë krejt të drejtë legjitime për t’u thirrur, të themi në afërsinë e tyre me një pjesë të trashëgimisë së caktuar siç mund të jetë ose përkatësia fetare, apo përkatësia etnike. Por, ajo që ne duam ta theksojmë, është se ne duhet ta shohim këtë diversitet si diçka që do të shërbejë për tolerancë e për bashkim e jo për ndarjen. Fatkeqësisht në të kaluarën, diversiteti kulturor i Kosovës ka shërbyer për thellimin e ndasive ndërmjet njerëzve që kanë shkaktuar probleme edhe më të mëdha që i dimë të gjithë. Ideja dhe koncepti ynë është që këtë diversitet ta kultivojmë, ta ndihmojmë dhe ta ruajmë, por gjithmonë në funksion të ngritjes së tolerancës, të njohjes dhe të bashkimit përbrenda një identiteti të përgjithshëm shtetëror që është Republika e Kosovës.