Shqipëri: KQZ mbyll për sot numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara

Shqipëri: KQZ mbyll për sot numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur per sot numërimin e kutive me vota të futura gabimisht gjatë votimit me katër fletë për kryeqytetin në 8 maj. Nga numërimi i deritanishëm kandidati Lulzim Basha ka marrë 80 vota të panumëruara, ndërsa kandidati Edi Rama ka marrë 32 vota. Ky i fundit ishte në njoftimet paraprake 10 vota para rivalit demokrat. KQZ-ja vazhdon numërimin e votave dhe deri në orën 22:20, ishin numeruar 55 kuti.

Jashtë ndërtesës disa qindra protestues kundërshtuan procedurat që po ndiqeshin, duke ndryshuar rezultatin. Në prani të deputetëve socialistë, përkrahësit e opozitës u përplasën me forcat e shtuara të rendit, që ruanin hyrjen e KQZ-së dhe sipas njoftimeve të policisë, një komandant policie dhe dy policë të thjeshtë u plagosën nga goditjet me sende të forta. Ata ruanin hyrjen e KQZ-se, të cilen e mbajne ende te rrethuar.

Deputetët socialistë dhe bashkiakët fitues socialistë janë vënë në krye të disa protestave në disa qytete. Sipas njoftimeve, ata bllokuan disa orë një urë në Vlorë, rrugën Fier Lushnje me goma të djegura, rrugën Gjirokastër - Tepelenë, Lezhë - Tiranë dhe Durrës - Tiranë.

Ashtu si dje, edhe sot, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se revolta e qytetarëve do të vazhdojë ndaj manipulimeve zgjedhore, që sipas tij, po bën KQZ. Shumica e këtyre grumbullimeve në rrethet e vendit tashmë janë shpërndarë qetësisht.

Presidenti i Bashkimit Europian Hose Emanuel Barrose njoftoi shtyrjen e vizitës në Tiranë. Zëdhënës të Komisionit Evropian thanë se qëllimi i vizitës ishte të diskutonte me autoritetet shqiptare të ardhmen europiane të vendit, por në kushtet e numërimit të zgjatur të votave, u mendua që ai të vijë në Tiranë një herë tjetër, kur edhe diskutimet për këtë temë të jenë produktive.

Ndërkohë, në mbrëmje, Kryeministri Sali Berisha, tha se votat që po numërohen janë plotësisht të vlefshme. Ai i kërkoi zotit Rama të heqë dorë nga aktet e dhunshme sipas tij, duke paralajmëruar, se kushdo që do të cënonte institucionet e vendit, do të merrte përgjigjen sipas ligjit.