KQZ shpall Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës

KQZ shpall Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli në mbrëmje kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, si fitues i zgjedhjeve për kryetar i bashkisë së Tiranës. Sipas rezultateve të KQZ, zoti Basha ka marrë 81 vota më shumë se kandidati tjetër, Edi Rama. Vendimi për të miratuar tabelat e rezultateve u miratua me 4 vota pro dhe 2 kundër të komisionerëve të pranishëm. Në zgjedhjet vendore për Tiranën morën pjesë 250 mijë e 880 qytetarë dhe secili kandidat mori afërsisht gjysmat e votave; përkatësisht Basha 124 786 vota, Rama 124 705 dhe kandidati Hysni Milloshi 1394 vota.

Tabelat u kundërshtuan nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, dhe sipas gjithë gjasave, ata pritet ta shfrytëzojnë të drejtën e ankimit në Kolegj Zgjedhor brenda tre ditësh. Juristët e Partisë Socialiste shpjeguan se tabelat e reja dolën nga një procedurë e kundërshtuar që mori në numërim edhe një numër votash të tjera që ishin lënë mënjanë si vota të pavlefshme, vetëm sepse ishin hedhur në kutitë e gabuara. Ata këmbëngulën se rezultati ishte një fitore për kandidatin Edi Rama me vota 10 vota para kandidatit Basha dhe se KQZ duhet të zyrtarizonte rezultatet paraprake që dolën nga numërimi në njësinë bashkiake numër 5.

Por demokratët këmbëngulën që në shumë kuti të kryeqytetit kishte shumë fletë votimi të rregullta që po mënjanoheshin si të pavlefshme vetëm pse ishin hedhur në kuti me ngjyra të tjera. Demokratët shpjeguan se ato janë vota të vlefshme që shprehin qartë vullnetin e qytetarëve. Votimi për Tiranën u krye me 4 fletë votimi me 4 ngjyra, dhe disa qindra njerëz hodhën fletët nëpër kuti me ngjyra të ndryshme nga ngjyra e fletës. Kjo solli edhe debatin se përse mospërputhja e ngjyrës së fletës me atë të kutisë e bënte të pavlefshme votën e rregullt me kryq.

Për KQZ tani ka mbaruar edhe debati edhe dokumentacioni; nga 10 vota plus për zotin Rama, fletët e votimit shtesë ndryshuan shifrat në 81 vota plus për zotin Basha. Avokatët socialistë pritet të drejtohen në Kolegjin Zgjedhor, për ta zhvendosur atje diskutimin mbi këtë rezultat të ngushtë, që mbi të gjitha nxori edhe një herë në dritë rëndësinë dhe peshën e secilës votë të qytetarit.

Analistët e jetës politike theksojnë se kjo është e para herë që rezultatet zgjedhore në Shqipëri dalin aq të ngushta sa ato bëhen një ushtrim i vështirë demokracie për institucionet dhe partitë. Të tilla rezultate të ngushta, sipas tyre, ngrejnë shumë pikëpyetje mbi mesazhet që ka dashur populli t’u japë politikanëve të vet dhe mënyrën se si do t’i lexojnë ata në mbledhjet e forumeve të tyre.