Në Prishtinë në moshën 75 vjeçare, ndërroi jetë ish ambasadori dhe ish kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Rexhep Boja.
I lindur me 20 qershor 1946 në fshatin Kërrnicë të Klinës në Kosovën qendrore, ai studioi në Medinë të Arabisë Saudite ku edhe mori gradën e doktorit të shkencave.
Nga viti 1991 e deri në vitin 2003 shërbeu si kryetar Bashkësisë Islame të Kosovës.
Nga vitit 2012 deri në vitin 2018 ishte ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke ngushëlluar familjen tha se “ndarja nga jeta e zotit Boja është humbje e madhe për familjen, miqtë, besimtarët islamë dhe mbarë popullin e Kosovës. Ne do ta kujtojmë përherë z. Boja si njeri të urtë, i cili, duke qenë në krye të Bashkësisë Islame në vitet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova, gjatë viteve '90, ndikoi që solidariteti, besimi dhe paqja ndërmjet qytetarëve të Kosovës të kultivoheshin e të thelloheshin më tej”.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ngushëlloi familjen Boja duke vlerësuar se vdekja e tij “është humbje jo vetëm për ju si familje por edhe për të gjithë ne. Rahmetliu tërë jetën ia kushtoi ngritjes dhe avancimit të jetës fetare te ne sikur që ka dhënë një kontribut të paçmuar për shtetësimin e Kosovës”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh i pikëlluar me lajmin duke theksuar se ai udhëhoqi Bashkësinë Islame “në rrethana shumë të rënda për Kosovën, në vitet e përpjekjeve tona për lirinë e Atdheut, vite të rënda edhe për institucionet fetare. Pas çlirimit ai u angazhua në edukim por edhe në diplomaci, ku përfaqësoi denjësisht Republikën e Kosovës si ambasador në Arabinë Saudite”.
Ish ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e quajti të trishtë lajmin për vdekjen e “të myftiut historik dhe ambasadorit të jashtëzakonshëm të Kosovës, Rexhep Boja. Ai ka qenë prirës i forcimit të identitetit tonë kombëtar dhe fetar. Gjatë tërë jetës ishte një ambasador i ndërkombëtarizimit të lirisë, pavarësisë dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar”.