Debat i rreptë në parlamentin e Kosovës për bisedimet me Serbinë

Arkiv

Parlamenti i Kosovës u përfshi të martën në debate ndërmjet partive të koalicionit qeverisës dhe partive opozitare lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë.

Debatet ishin pjesë e një interpelance të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, të thirrur nga lëvizja Vetëvendosje për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe një raportimi të kryeministrit rreth takimit të 27 qershorit të organizuar nga i dërguari i posacëm amerikan Richard Grenell.

Liburn Aliu nga lëvizja Vetëvendosje kritikoi kryeministrin Hoti për siç tha, nënshtrimin e tij para presidentit Hashim Thaçi dhe se sipas tij në bisedime duhet të shkohet me reciprocitet dhe pa heqjen dorë nga përpjekjet për anëtarësim nëpër organizata ndërkombëtare.

“Takimi do të ndodhë pas katër ditësh në ndërkohë që ne deputetët dhe pothuaj askush nuk di asgjë se çka do të flitet. Ju po thoni që heqja e reciprocitetit dhe nga anëtarësimi u janë kërkuar apo është thënë nga administrata në Washington , por mirë a na thoni se çka u thatë ju atëherë? Po harroni që jeni qeveri me 59 vota dhe se njerëzit më të votuar i keni jashtë qeverisë, po harroni që jeni jo legjitim dhe të paligjshëm por mbase mu për këtë edhe ne nuk po dimë. Po të ishte një marrëveshje dobishme, luftë do të bënit se cili po flet i pari dhe ju zoti Hoti nuk do të ishit ardhë në rend prej Thaçit por meqenëse se nuk po pritet marrëveshje e mirë, nuk kemi edhe si ta dimë se për çka po flitet, ne nuk po dimë se për çka do të flisni por një gjë po e dimë sigurt, mbase po doni ta merrni në qafë një popull i cili nuk do të ju lë”, tha zoti Aliu.

Lexoni edhe këtë Qeveria në Prishtinë hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë – zhbllokohen fondet amerikane

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se nuk do të ketë kthim prapa të statusit të vendit të shpallur më 17 shkurt të vitit 2018. Ai tha se Kosova ka interes jetik që të përmbyllë konsolidimin e shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare përmes shpërthimit të rrethimit që ka sjellë konflikti i ngrirë me Serbinë.

“Ky momentum i ri ndërkombëtar BE-SHBA i cili ka për qëllim të prodhojë një projekt përfundimtar normalizimi dhe paqeje përmes njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ta pranojmë vjen për Kosovën në një kohë kur grupime politike populliste jo që vetëm nuk patën guximin që të marrin përgjegjësinë politike e kombëtare për t’i dalur në mbrojtje subjektivitetit dhe sovranitetit së Republikës së Kosovës por i rrezikuan ato përmes barrikadimit dhe humbjes së miqve”, tha kryeministri Hoti.

Ai tha se heqja e barrierave tarifore nga ana e qeverisë ishte një veprim i vullnetit të mirë për t’i dhënë shtytje procesit politik për betonimin e subjektivitetit të Kosovës.

“Ne si qeveri nuk besojmë që masat e përkohshme politike që krijojnë barriera ekonomike ndërmjet vendeve mund të zgjidhin problemin ekonomik me Serbinë. Unë ju siguroj që barrierat ekonomike dhe tregtare do t’i adresojmë përmes mekanizmave rajonal dhe evropianë. Problemet politike që kemi me shtetin tonë fqinjë mund t’i adresojmë vetëm duke aplikuar politika të qëndrueshme dhe efikase që kordinohen ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Unë jam i bindur se vetëm në këtë mënyrë pra përmes masave që tani më kemi ndërmarr në kordinim me të gjitha qendrat e vendosjes ndërkombëtare do të mund të kthejmë besimin e SHBA-ve ndaj qeverisë së Kosovës sikurse edhe eliminimin e keqkuptimeve të shkaktuara mes nesh dhe Berlinit, Parisit, Brukselit dhe Londrës”, tha ai.

Lexoni edhe këtë Grenell: Kosova dhe Serbia të fillojnë një epokë të re

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj kritikoi ndërkaq vendimin e kryeministrit Hoti që të shkoj të enjten në një takim me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian para atij në Washington .

“Unë e kam parë me simpati shkuarjen e kryeministrit në Washington , por dje unë mbeta i habitur kur e pash që ka vendos me shku në Bruksel, para se e shku në Washington , a krejt vëmendja ndërkombëtare, ngjarja kryesore e Ballkanit është çka ndodh në mes të Kosovës dhe Serbisë në Washington . Kur të shkon në Washington ata mund ta pyesin çka ju thanë në Bruksel. A e dini që kur keni vizitë të deklaruar publikisht te partneri kryesor, nuk e bën gabimin po shkoj në Bruksel tani pas Brukselit po shkoj në Washington . Vuçiçi po shkon në Moskë dhe prej Moskës po shkon në Washington , është goxha një gabim i madh, mendoj që është goxha gabim të bëj një gabim protokollar me pasoja gjeopolitike”, tha zoti Hoxha.

Por kryeministri Hoti tha se vizita në Bruksel të enjten nuk e zëvendëson takimin në Washington dhe sipas tij nuk ka të bëjë me çështje të bisedimeve.

“Vizita jonë ka për qëllim që ne në nivelet më të larta të Komisionit Evropian, të institucioneve të BE-së të kërkojmë liberalizimin e vizave dhe të kordinojmë për aq sa është e mundshme mbështetjen që ne presim si Kosovë në kuadër të mbështetjës për Ballkanin Perëndimor për pakon e rimëkëmbjes ekonomike, kjo është e veërteta ndërkohë që përfaqësuesit e Serbisë shkojnë në Moskë dhe pastaj fluturojnë në Washington ne shkojmë në Bruksel aty ku e kemi vendin dhe pastaj vazhdojmë më tutje në bisedat në Washington ”, tha ai.

Lexoni edhe këtë Kosovë, përpjekje për harmonizim të qëndrimeve para takimit në Shtëpinë e Bardhë

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani kritikoi vendimin për heqjen e masave të reciprocitetit, veprim ky që sipas saj është i dëmshëm për vendin.

“Për mua mbetet e pakuptueshme dhe mbi të gjitha e dëmshme për pozicionin e Kosovës në dialog në qoftë se reciprociteti quhet pengesë e aq më tepër nga një kryeministër i vendit që duhet ta përfaqësoj Kosovën në atë tavolinë. Sepse parimi i barazisë pra i reciprocitetit është parim që i ka paraprirë shtet-krijimit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kryeministri Hoti tha se Kosova nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që do të jetë e dëmshme për vendin.

“Ose do të ketë një marrëveshje të mirë ose nuk do të ketë hiq marrëveshje edhe mund të vazhdojmë pastaj me vendosje të masave edhe me mbajtje të status quo-s edhe me gjitha problemet që kemi pasur deri më tash. Është jetike me i ruajt partneritetet, miqësitë ndërkombëtare, nëse nuk i kemi prapa partnerët mbesim një vend i vogël i izoluar që kurdo mund të marrin njoftime për tërheqje të njohjeve ose mbesim vend ku shtetësinë tonë e kemi ta pakonsoliduar në arenën ndërkombëtare. Ne nuk kemi rrugë tjetër, ne nuk mund të shkojmë përmes Moskës për t’u anëtarësuar në OKB, mund të shkojmë vetëm përmes Brukselit edhe Washingtonit për anëtarësim në OKB, nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.

Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen të shtunën në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet e paqes, Richard Grenell. Ky i fundit ka paralajmëruar bisedime për çështje ekonomike në funksion të lehtësimit të lëvizjes së mallrave dhe qytetarëve në mes të dyja vendeve.

Nisma amerikane për bisedime ka shtyrë Bashkimin Evropian që të përshpejtojë procesin e bisedimeve të lehtësuara nga i dërguari i posaçëm i tij, Miroslav Lajçak dhe muaji korrik mund të shënojë rifillimin e tyre.