Përleshje mes KFOR-it dhe serbëve në veri

Dy ushtarë të NATO-s dhe tre qytetarë serbë janë plagosur gjatë përleshjeve të premten në veriun e Kosovës

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, thanë se dy pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur sot gjatë përleshjeve që shpërthyen në veriun e Kosovës. Përleshjet pasuan një operacion të trupave të KFOR-it për të larguar një nga barrikadat e vendosura në serbët në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, që lidhë këtë qytet me Mitrovicën.

Një zëdhënës i KFOR-it tha se ushtarët u plagosën kur turmat e serbëve sulmuan paqeruajtësit, të cilët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Përfaqësues të serbëve në veri thanë se të paktën tre qytetarë kanë pësuar plagë gjatë përleshjeve, në të cilat janë dëgjuar edhe të shtëna nga armët e zjarrit.

http://www.youtube.com/embed/0oEW--3Ga9g

Forcat paqeruajtëse duke konfirmuar plagosjen e ushtarëve, e dënuan ashpër “këtë akt të dhunës”. Në një komunikatë për opinion thuhet se operacionet e KFOR-it udhëhiqen nga parimet e “përdorimit të forcës më të paktë të mundshme. Por, KFOR-i do të kundërpërgjigjet në vetëmbrojtje nëse është e domosdoshme. KFOR-i nuk do të lejojë shkallëzimin e mëtejmë të situatës dhe do të përdorë forcën e përshtatshme për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, nëpërmjet së cilës u bëhet thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, deklaratat nxitëse dhe aktet e dhunës.

Paqeruajëtsit thanë se operacioni i sotëm synon përmirësimin e lirisë së lëvizjes jo vetëm për KFOR-in dhe organizatat ndërkombëtare, por për të gjithë popullin e Kosovës. Në një komunikatë të forcave paqeruajtëse, në të cilën nënvizohet se “misioni i KFOR-it është që t’i kontribuojë mjedisit të qetë dhe të sigurt, si dhe lirisë së lëvizjes për tërë popullin e Kosovës. KFOR-i do të vazhdojë kështu fuqishëm, i pa lëkundur dhe në mënyrë të paanshme, në pajtim me mandatin e tij”.

Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve serbë në veri. Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, e cilësoi si “veprim shumë të rrezikshëm” operacionin e sotëm të KFOR-it.

Rrugët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe u bllokuan që në korrik të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të shtrirë autoritetin e saj në atë zonë.