Alex Whiting emërohet shef i hetimeve në Prokurorinë e Posaçme për Kosovën

Prokurori me shtetësi franceze dhe amerikane, Alex Whiting, është emëruar shef i hetimeve në zyrën e Prokurorit të Posaçëm për krimet e luftës në Kosovë.

Zoti Whiting, 54 vjeçar, është i njohur mirë me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërmjet viteve 2002-e 2007, ai ka punuar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe ka qenë prokuror kryesor në procesin kundër ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, Isak Musliu e Haradin Balaj si dhe në gjykimet kundër Milan Martiçit, ish udhëheqës i kryengritësve serbë në Kroaci dhe Dragomir Milosheviçit, ish ushtarak i serbëve të Bosnjës.

Në një njoftim të zyrës së Prokurorit të Posaçëm thuhet se zoti Whiting, është një prokuror me kombësi franceze dhe amerikane me përvojë të gjerë në fushat e ndjekjes penale kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Ai ka qenë profesor në fakultetin juridik në Harvard dhe më herët prokuror federal në Shtetet e Bashkuara, fillimisht në Sektorin e Kriminalistikës së Departamentit të të Drejtave Civile në Washington DC e më pas me Zyrën e Prokurorit Federal në Boston, Massachusetts, ku ka ndjekur rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zoti Whiting është diplomuar në Yale.

Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Posaçme për krime lufte në Kosovë, filloi në Hagë intervistimin e një numri të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet nxitën reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.