Kosovë: Akuzë ndaj një serbi për krime lufte

Pamje nga hetimet e ekspertëve ndërkombëtar në fshatin Krushë e Vogël pak ditë pas luftës në Kosovë

Një prokuror ndërkombëtar në Prokurorinë e Posaçme të Kosovës, ngriti aktakuzë kundër një pjesëtari të komunitetit serb, për krime të luftës në fshatin Krushë e Vogël të komunës së Rahovecit në Kosovën perëndimore në pranverën e vitit 1999.

Darko Tashiç, akuzohet për kryerja krimesh si pjesëtar i forcave policore rezervë apo forcave paraushtarake serbe në fshatin Krushë e Vogël, në periudhën ndërmjet 25 e 27 marsit të vitit 1999.

Në një njoftim të prokurorisë, thuhet se ai "akuzohet për plaçkitje, shkatërrim me paramendim dhe krim kundër dinjitetit personal dhe njerëzor, shkelje këto të ligjit të vendit si dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Akuzat ndërlidhen me një sulm në fshatin Krushë e Vogël i cili filloi më 25 mars 1999 nga forcat serbe, përfshirë policinë dhe paraushtarakët, gjatë të cilit popullata civile u ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të rënda, ndërrimit të lokacionit dhe zhvendosjes, ushtrimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit/grabitjes dhe plaçkitjes së pronës, përdhosjes dhe shkatërrimit të trupave të viktimave të agresionit serb, të gjitha këto të kryera gjatë një periudhe dy-ditëshe".

I akuzuari është arrestuar në nëntor të vitit 2017 në bazë të një fletë arresti ndërkombëtar gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë dhe që atëherë gjendet në paraburgim.

Mbi 110 burra të fshatit Krushë e Vogël, janë vrarë dhe trupat e shumicës janë zhdukur nga forcat serbe. Masakra në atë fshat vlerësohet si nga më të rëndat gjatë luftës së Kosovës.

Në vitin 2012, misioni i Bashkimit Evropian hapi hetimet për masakrën në fshatin Krushë e Vogël. Atëbotë u tha se prokuroria i ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm të cilët do të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile, duke përfshirë vrasjen e gjithsej 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës.

Masakra në Krushë të Vogël vlerësohet si një nga vrasjet më masive që ka ndodhur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe rreth pesë mijë u zhdukën, ndërsa forcat serbe dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova gjatë luftës gati dyvjeçare, që mori fund nëntëmbëdhjetë vjet më parë, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.