Ramush Haradinaj – shpallet i pafajshëm

Gjykata për krime lufte në Hagë, shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe dy ish bashkëluftëtarët e tij për të gjitha akuzat për krime lufte
Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte. Gjykata ndërkombëtarë për krime lufte shpalli të pafajshëm edhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.


Shpallja e vendimi u ndoq nga shumë qytetarë në qendër të Prishtinës e cila u përfshi nga fishekzjarrët pasi që kryetari i trupit gjykues, Bakone Justice Moloto shpalli se tre te akuzuarit janë të lirë.


Kremtime në Prishtinë pas vendimit për Ramush Haradinajn


Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzoheshin për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

http://www.youtube.com/embed/d77b2-MoTbI

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat, për siç thuhet, trajtim mizor dhe torturë.

Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm ishte i pari i këtij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Kosova mirëpret lirimin e Ramush Haradinajt

Vendimi i Gjykatës së Hagës është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate thekson se vendimi i sotëm "është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë veshur".

Ajo ka përgëzuar gjithashtu qytetarët e Kosovës "për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe".

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke uruar qytetarët e Kosovës thekson se “lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Kjo u vërtetua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij”.

Në komunikatë thuhet se “ky proces i stërzgjatur kundër zotit Ramush Haradinaj, zotit Idriz Balaj dhe zotit Lahi Brahimaj ka qenë shumë i dhimbshëm për t’u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë. Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar”.

Serbia e zemëruar më lirimin e Ramush Haradinajt

Autoritetet në Serbi reaguan me zemërim ndaj vendimit të Gjykatës së Hagës për lirimin e zotit Haradinaj. Në një komunikatë të zyrës së presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, thuhet se ky vendim “nuk është i bazuar në të drejtën dhe drejtësinë” dhe kjo i vështirëson përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon.

Për krime të tmerrshme ndaj serbëve të Kosovës nuk do të dënohet askush”, thuhet në reagim, në të cilin nënvizohet se “vendimet e këtilla nxisin separatizëm, i vështirësojnë përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon, i dëmtojnë përpjekjet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, dhe e rrisin euro skepticizmin tek populli i Serbisë”.

Ndërsa qeveria e Serbisë, e ka cilësuar siç thuhet, “të turpshëm” vendimin e Gjykatës së Hagës.

Nëpërmjet zëdhënësit të saj ajo vlerëson se “kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Pakënaqësi është shprehur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Një nga udhëheqësit e Këshillit Kombëtar serb Nebojsha Joviç, tha se zhvillimet në Gjykatën e Hagës kanë dëshmuar se asnjë krim ndaj serbëve nuk do të dënohet.

"Populli serb qoftë në Kroaci apo në Kosovë është shpallur shënjestër e ligjshme", tha ai.

Ndërkaq ndaj vendimit reagoi edhe organizata Amnesty International, sipas së cilës kjo ngre pyetjen se “nëse të tre ish pjesëtarët e lartë të UÇK-së nuk janë fajtor, atëherë kush i ka kryer këto krime?

Në reagimin e kësaj organizate thuhet se 800 pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Kosovë, ka dyshime se janë rrëmbyer dhe vrarë nga UÇK-ja. Vetëm një numër i vogël i trupave të tyre është gjetur, zhvarrosur dhe kthyer te familjet e tyre për varrim.