E shtuna në Kosovë u shndërrua në një ditë debatesh, kritikash e përplasjesh në distancë rreth vaksinave të munguara kundër COVID-19.
Gazeta në internet, “Insajderi”, publikoi të premten një hulumtim, në të cilin thuhet se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka refuzuar të nënshkruajë një kontratë me kompaninë “Pfizer/BioNTech” për t’i siguruar vaksina Kosovës. Si rrjedhojë e këtij refuzimi, sipas Insajderit, furnizimi me 500 mije doza vaksinash të kësaj kompanie shtyhet deri ne shtator.
Ministri i Shëndetësisë, mohoi njoftimet e gazetës Insajderi, duke theksuar se ai është “i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq”, ndërsa theksoi se çështja e sigurimit të vaksinave është çështje “mirëbesimi”.
“Procesi i sigurimit dhe furnizimit me vaksina nuk është lojë. Vaksinat janë çështje e rëndësisë dhe e sigurisë kombëtare, sepse kemi të bëjmë me shëndetin publik të qytetarëve. E të rrezikosh sigurimin e vaksinave ke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, e për këtë shteti duhet të kërkojë llogaridhënie. Ne ftojmë prokurorin e shtetit që të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve dhe të veprojë ndaj kujtdo që dëmton një proces kaq delikat, por kaq jetik”, tha ai në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë.
Të shtunën zyrtarë të policisë qëndruan në redaksinë e gazetës dhe më pas drejtori i saj, Parim Olluri u paraqit në stacionin e policisë.
Ngjarja nxiti reagime në shkallë të gjerë. Partitë opozitare, shoqatat e gazetarëve dhe përfaqësues të shoqërisë civile thanë se është e papranueshme që të merren në pyetje dhe të hetohen gazetarët me qëllim të zbulimit të burimeve të tyre dhe kjo është shkelje e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së mediave.
Policia e Kosovës, të shtunën pasdite tha se zyrtarët e saj “nuk kanë marrë në pyetje dhe nuk kanë vendosur nën hetim asnjë qytetar që ushtron profesionin e gazetarit. Sipas urdhrit të Prokurorit në pyetje janë marrë vetëm personat apo zyrtarët që e kanë poseduar informacionin konfidencial. Ndërsa përfaqësuesit e mediumit që e kanë publikuar informacionin, janë ftuar vetëm për informim sipas udhëzimeve të prokurorit”.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, tha se veprimet hetimore do të ndërmerren ndaj personave zyrtarë, e jo ndaj mediave dhe gazetarëve.
Drejtori i gazetës në internet “Insajderi”, Parim Olluri tha se “presioni publik detyroi pushtetin qe te tërhiqet për momentin nga aksioni i sotshëm për frikësimin e Insajderit”.
Opozita i bëri thirrje qeverisë të sqarojë situatën me vaksinat dhe të shmangë përplasjet me mediet, duke e kritikuar atë për qasjen ndaj situatës me pandeminë e COVID-19.
Kosova deri të shtunën ka konfirmuar 101 mijë e153 raste të të prekurve nga kornavirusi, dhe 2 mijë e 61 raste të vdekjes nga pasojat e tij.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 8 viktima dhe 498 raste të reja të të prekurve.
Kosova është vendi i fundit në rajon që filloi vaksinimin e qytetarëve të saj me 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneka, dhuratë e programit COVAX.