Një gjykatë në Prishtinë dënoi me 5 vjet heqje lirie Murat Dernjanin, nën akuzat për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste. Dënimi i tij pasoi pranimin e fajësisë për veprat për të cilat ngarkohej nga prokuroria e posaçme e Kosovës.
Sipas akuzës ai gjatë vitit 2013 kishte udhëtuar drejt Turqisë duke marrë marr me vete gruan dhe të birin me qëllim që t’i bashkohej grupit militant, Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë.
Sipas prokurorisë, ai nga muaji mars 2013, “0me dëshirë, me vetëdije dhe me paramendim ka udhëtuar përmes rrugëve të ndryshme për në qytetin e Stambollit në Turqi. Pas një kohe së bashku me bashkëshorten A.D., dhe djalin e tij, janë vendosur në Kilis në juglindje të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, prej nga ilegalisht arrin në qytetin Gaziantep, pastaj i është bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, organizatë kjo, që vepron në Siri dhe Irak”.
Sipas prokurorisë, ai ka qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, deri sa është tërhequr dhe u është dorëzuar autoriteteve të Turqisë prej të cilave ka kërkuar që ta kthejnë në Kosovë, gjë që edhe i është mundësuar.
Autoritetet në Kosovë thonë se nuk janë regjistruar së fundmi raste të reja të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri dhe Irak, ku edhe më tej besohet se ndodhen rreth 200 veta, përfshirë gra dhe fëmijë.
Afërsisht 80 persona kanë humbur jetën në ato luftëra.
Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.
Në pranverën e vitit 2015 parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.