Një gjykatë në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh një personi të arrestuar një ditë më parë nën dyshimet për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Vendimi i mor me kërkesë të prokurorisë së posaçme të Kosovës, sipas së cilës i pandehuri, që është identifikuar me nistoret e tij B.E. gjatë fundit të vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019, është angazhuar në përgatitjen e akteve terroriste në Kosovë, ashtu që më 10 janar 2019, duke shfrytëzuar rrjetet sociale ka publikuar foto kërcënuese ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me mbishkrimin “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”.
Fotografia ishte nga një person i maskuar dhe në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste ISIS, thuhet në njoftimin e prokurorisë e cila thekson se “e gjithë kjo ka ndodhur me qëllim të frikësimit serioz të popullatës apo që seriozisht të destabilizojë strukturat themelore politike e Kushtetuese të Kosovës”.
Gjatë operacionit të arrestimit të tij më 11 janar, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe me këtë rast ka sekuestruar një “Iphone 6” pasi që i është gjetur një fotografi kërcënuese si dhe një thikë.