Kosovë, aktakuzë për përgatitjen e veprave terroriste

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave nën dyshimet për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B është akuzuar posaçërisht për veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”ndërsa i pandehuri tjetër G.SH për veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se ndaj të pandehurës E.H, Prokuroria e Posaçme ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”ndërsa ndaj të pandehurve A.A dhe L.M, është ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale “mos lajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Aktakuza lidhet me personat e arrestuar në muajin qershor, të dyshuar se po planifikonin sulme ndaj trupave të NATO-s dhe në mjedise publike në Kosovë, Belgjikë dhe Francë.

Dy persona, një burrë dhe një grua, kishin biseduar në telefon për përgatitjen e "sulmeve terroriste, kryerjen e sulmeve vetëvrasëse me makinë ndaj trupave të KFOR-it dhe kryerjen e sulmeve në mjedise publike".

Në pranverën e vitit 2015 parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme, ku sipas shifrave të përafërta zyrtare edhe më tej ndodhen 195 veta nga Kosova, një pjesë e mirë e të cilëve janë gra e fëmijë.