Kosovë: Një i akuzuar për pjesëmarrje në grup terrorist dhe keqtrajtim të fëmijës

Në Kosovë prokurorët ngritën të martën akuzë kundër një shqiptari për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, si dhe për veprën “keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”.

Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, thuhet se “i pandehuri V.Q., më 28 qershor të vitit, së bashku me tani të ndjerin A.U., nga komuna e Ferizajt, me paramendim, me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Maqedonisë, dhe pasi që kanë marrë udhëzimet për mënyrën e rrugëtimit nga I.A. kanë udhëtuar përmes rrugëve ilegale nëpër Bullgari e Turqi, ku më pas kanë arritur në Siri dhe në pjesën kufitare janë pritë nga pjesëtarët e ISIS-it”.

Sipas akuzës, “pas identifikimit dhe regjistrimit në formular, si pjesëtar i kësaj organizate ai ka vijuar trajnim përkatës ku edhe më pastaj ka punuar si infermier në spitalet ushtarake të ISIS-it, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë i pajisur me uniformë ushtarake, pushkë automatike si dhe me jelek me eksploziv (hizam) duke propaganduar përmes fotografive dhe incizimeve organizatën terroriste ISIS. Më 29 dhjetor të vitit 2017, është arrestuar nga forcat demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019 kur është riatdhesuar në Kosovë”.

Me këto veprime, thuhet në njoftim, ai ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas prokurorisë, “më 8 shtator të vitit 2017, në zonat e konfliktit në Siri, në shtëpinë ku përkohësisht ka banuar, si pjesëtarë i organizatës terroriste ISIS, ai ka detyruar fëmijën e tij U.Q. i moshës rreth 3 vjeçare, që të përfshihet në aktivitet ku rrezikohet apo dëmtohet zhvillimi i fëmijës, në atë mënyrë që ia vë hizamin – jelekun me eksploziv duke i dhënë edhe pushkën automatike në dorë duke i thënë: “merre kallashin dhe gjuaj bam, bam”, e që të gjitha këto veprime i ka regjistruar me video kamerë”.

Kësisoj, thuhet në njoftim, ai ka kryer veprën penale “keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, e dënueshme me ligjet e Kosovës.

Tashmë i akuzuari është pjesë e grupit prej 110 personash që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.