Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të hënën aktakuzë ndaj tri grave nga Kosova për shkak të veprave penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj”.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se e pandehura “M.A., më 12 korrik të vitit 2015, së bashku me bashkëshortin e saj B.M (tani i ndjerë) dhe fëmijën e tyre djalë të moshës 1 vit e gjysmë, me vetëdije dhe vullnet të plotë ka kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit dhe ka përfunduar në destinacionin e saj në zonën e konfliktit në Siri, me qellim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra, që veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më datën 20 prill 2019”. Me këto veprime e pandehura ka kryer veprën penale, “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq e pandehura S.S., sipas prokurorisë, “më 19 maj të viti 2014, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, së bashku me bashkëshortin e saj G.Xh (tani i ndjerë) kanë udhëtuar për në Stamboll dhe nga aty kanë përfunduar në destinacionin e tyre në Siri, me qëllim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS () dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më 20.04.2019”.
Po ashtu Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se e pandehura tjetër L.L., “më 08 dhjetir 2013 me vetëdije dhe vullnet të plotë përmes Aeroportit Ndërkombëtar te Prishtinës, ka udhëtuar në drejtim të Stambollit-Turqi, nga ku pastaj ka kaluar në destinacionin e saj në Siri, gjegjësisht në zonën e konfliktit, me qëllim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më 20.04.2019”;
Të tri të akuzuarat janë pjesë e grupit prej 110 personave që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave. Tashmë disa prej tyre janë nën aktakuzë dhe të paktën njëra është dënuar me kusht.
Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.
Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.