Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka vazhduar serinë e aktakuzave ndaj personave të kthyer nga Siria pranverën e vitit 2019.
Të martën ajo ngriti aktakuzë kundër një gruaje dhe një burri për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Sipas prokurorisë, “e pandehura, V.K. me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, më 30 mars të vitit 2015, duke vepruar me dashje dhe në dijeni për veprimet e veta, është nisur për në Shkup-Maqedonia e Veriut, së bashku me bashkëshortin e saj M.B. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta edhe F.D., për të arritur në drejtim të Stambollit në Turqi, e më pas për të vazhduar për në Siri, ku i janë bashkangjitur grupit terrorist. E pandehura këto veprime i ka kryer në vazhdimësi, deri në kohën kur është dorëzuar te Forcat Kurde, në fillim të vitit 2019, e ku ka qëndruar për rreth dy muaj, kurse më 20 prill 2019 është deportuar në Kosovë”.
Ndërkaq, “i pandehuri F.D., me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, më 30 mars të vitit 2015, duke vepruar me dashje dhe në dijeni për veprimet e veta, fillimisht nga Kosova ka shkuar në Shkup, së bashku me gruan e tij, të pandehurën G.A. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta M.B dhe V.K, kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit në Turqi, e ku më pas ka hyrë në territorin e Sirisë dhe i bashkëngjitet grupit terrorist ISIS”.
Dy të akuzuarit janë pjesë e grupit prej 110 personave që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Të katër burrat u dërguan menjëherë në burg dhe të paktën një prej tyre është dënuar me 4 vjet heqje lirie, ndërsa ndaj tre të tjerëve janë ngritur akuza.
Lexoni edhe këtë Kosovë: Dy vjet heqje lirie me kusht për pjesëmarrje në grup terroristProkuroria e Posaçme e Kosovës deri tash ka ngritur aktakuza ndaj 21 prej grave të kthyera dhe të paktën ndaj tri prej tyre ka shqiptuar dënime me kusht.
Në vitin 2015 parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që ndalon bashkimin në luftëra të huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie.
Që nga viti 2012 afro 400 qytetarë të Kosovës ishin përfshirë në luftërat në Siri e Irak dhe një pjesë e tyre luftuan përkrah grupit militant Shteti Islamik.
Lexoni edhe këtë Kosova ndan fonde për koalicionin kundër Shtetit IslamikQeveria në largim e Kosovës, vendosi javën e kaluar të ndajë 250 mijë euro, (afërsisht 277 mijë dollarë) për koalicionin ndërkombëtar kundër grupit militant, Shteti Islamik.