Një gjykatë në Prishtinë dënoi të enjten një grua nga Kosova me dy vjet heqje lirie me kusht nën akuzat për pjesëmarrje në grup terrorist.
Fatbardha Demolli akuzohej nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës se “me qëllim të pjesëmarrjes në veprimtarinë e grupit terrorist ISIS në Siri, me datën 22 shtator të vitit 2014 nga Prishtina ishte nisur në drejtim të pikës kufitare të Hanit të Elezit për në Maqedoninë e Veriut dhe nga aeroporti i Shkupit kishte udhëtuar drejt Stambollit e më tutje drejt Sirisë ku i ishte bashkuar burrit të saj Fidan Demollit”.
Ajo gjatë procesit gjyqësor kishte pranuar fajësinë.
Duke lexuar aktvendimin, kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, tha se Fatbardha Demolli “detyrohet po ashtu që të kryejë vizita te psikologu për një periudhe prej dy vjet e gjysmë”.
Ajo është një nga 32 gratë e kthyera nga Siria në Kosovë në pranverën e vitit të kaluar. Prokuroria e Posaçme e Kosovës deri tash ka ngritur aktakuza ndaj 20 prej këtyre grave.
Astrit Dibra nga kjo prokurori i tha Zërit të Amerikës se ndaj 18 prej këtyre grave është ngritur aktakuzë për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje ne grup terrorist”, dhe ndaj dy të tjerave për veprën penale “bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, ne organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit te Republikës se Kosovës”.
Akuza e fundir u ngrit të mërkurën kundër të pandehurës M.T. Sipas prokurorisë “i fejuari i saj nga muaji shkurt 2014 ka qenë në Siri, duke luftuar për organizatën terroriste ISIS, ndërsa e pandehura M.T. i është bashkuar atij duke e ditur se veprimi i tillë është i kundërligjshëm”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se “e pandehura më 20 qershor të vitit 2014, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka shkuar në Stamboll, prej nga ka vazhduar me aeroplan për Gaziantep, dhe nga aty me një automjet ka kaluar në Siri, ku i është bashkuar organizatës terroriste ISIS”.
Gjatë qëndrimit atje, sipas prokurorisë “duke e përdorur shumën e rregullt mujore të parave nga Shteti Islamik, u ka ofruar shërbime logjistike ushtarëve”.
Gjithsej 110 persona, 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 burra, u kthyen në prill të vitit 2019 nga Siria në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave.
Disa dhjetëra qytetarë të Kosovës përfshirë gra e fëmijë vazhdojnë të mbeten në zonat e konfliktit.