Kryesia e parlamentit të Kosovës vendosi të hënën që nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, ta dërgojë në qeverinë e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se "topi është në dorën e qeverisë së Kosovës".
Mbledhja e kryesisë në të cilën u diskutua nisma u braktis nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i grupit parlamentar të së cilës, Avdullah Hoti, tha se "ne e lëshuam mbledhjen sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët”.
Your browser doesn’t support HTML5
Në dy raste kryesia e parlamentit nuk kishte kuorum për të vendosur rreth nismës së nënshkruar nga 43 deputetë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatës e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara, do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës.
Nisma nxiti reagime të ashpra të diplomacisë amerikane dhe evropiane.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, paralajmëroi të mërkurën e kaluar se politikanët që mbështesin shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme, do të përballen me pasoja të rënda.
"Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat personale mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Dhe më lejoni të jem i qartë, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë, përkundër mohimit të tyre, do të jenë subjekt i pasojave specifike dhe të ashpra, nëse nisma do të ketë sukses. Ata e dinë këtë, ua kemi thënë", tha ambasadori Delawie.
Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin "dhomat e posaçme" do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.
Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ajo tha ambasadori amerikan do të trajtojë individët dhe "nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etnie".