Serbët në veri refuzojnë targat e Kosovës

Protestë e serbëve në veri të Kosovës

Që nga një qershori, në Kosovë ka hyrë në fuqi vendimi për ndalimin e përdorimit të targave të makinave, të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Grupe serbësh në veriun e Kosovës parakaluan sot me makina nga Mitrovica deri në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Prishtinës për të ndaluar përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Përfaqësuesit e serbëve lokal u dorëzuan autoriteteve të KFOR-it dhe të EULEX-it një letër proteste, me të cilën kundërshtojnë siç është thënë, “çdo përpjekje për integrimin me dhunë të serbëve të veriut nga institucionet e Prishtinës”.

Që nga një qershori, ka hyrë në fuqi vendimi për ndalimin e përdorimit të targave të vjetra e të reja të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe serbët e Kosovës duhet të vendosin targat e reja të Kosovës, që janë dy llojesh, një palë me mbishkrimin KS dhe një palë me mbishkrimin RKS.

Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjes për lëvizje të lirë, e cila qe arritur ne korrik të vitit të kaluar në bisedimet Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Fundi i vitit 2011 ishte përcaktuar si afat i zbatimit të saj, por zhvillimet në terren kushtëzuan zgjatjen e afatit deri në fillim të muajit qershor.

Kosova dhe Serbia arritën disa marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por zbatimi i tyre ende është i pjesshëm. Ndërmjetësuesit synojnë rifillimin e bisedimeve, të cilat qenë ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.

Presidenti i ri serb, Tomislav Nikoliç, deklaroi të enjten në Bruksel se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë këto bisedime, por hodhi idenë që delegacioni i vendit të tij të drejtohet nga kryeministri i Serbisë.

Prishtina, po ashtu mbështetë vazhdimin e bisedimeve, por vetëm pasi të jenë zbatuar marrëveshjet e deritashme.

Bisedimet e filluara në mars të vitit 2011, kishin për qëllim zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të përbashkët dhe shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të kushtëzuara nga kundërshtimi i ashpër i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.