Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënën do të takohen në Bruksel për një raund të ri bisedimesh, vetëm pak ditë pasi në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, shkroi të dielën se takimi është në funksion të bisedimeve “për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë".
"Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura”, shkroi kryeministri Hoti.
Pas një takimi me të dërguarin e posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer të dielën në Bruksel, ai u shpreh “i kënaqur qe po shoh koordinim te plotë në mes të BE-së dhe SHBA-së lidhur me marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Ndërsa presidenti serb, Vuçiç, tha se do të hedhë në tryezë çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, pasi të jenë trajtuar si temat kryesore të parapara për këtë raund bisedimesh që kanë të bëjnë me personat e zhdukur gjatë luftës, personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.
Në një postim në rrjetet sociale ai hodhi një fotografi nga takimi me zotin Matthew Palmer, i dërguari i Posaçëm i Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo për Ballkanin Perëndimor dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Bruksel, duke theksuar se BE-ja ngulë këmbë të drejtojë dialogun politik.
“Ata po analizojnë atë që është bërë në Uashington dhe mendoj se ata duan të përdorin një pjesë të asaj që është arritur në Uashington për të bërë përparim më të shpejtë. Se a janë më të lumturit në botë - kushdo që do t'ju thoshte atë - nuk do ta thoshte të vërtetën," tha presidenti serb, duke nënvizuar se bisedimet me Prishtinën janë detyrim i shtetit, “të cilin e ka trashëguar nga paraardhësit”.
Takimi i së hënës në Bruksel pason dakordimin e të dyja palëve pëe normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë që u vlerësua lart nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump e cilësoi si një "një tjetër angazhim historik", ndërsa vlerësoi kurajën e të dy udhëheqësve për të arritur një pajtim të tillë.
Lexoni edhe këtë Trump: Marrëveshja Kosovë-Serbi, një hap i madh përparaSekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili priti kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, “ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën, inkurajoi vazhdimin e negociatave me Serbinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të përqendruar në njohjen e ndërsjellë dhe kërkoi zbatimin marrëveshjeve për linjat ajrore, hekurudhore dhe rrugore të ndërmjetësuara nga i dërguari i posaçëm Richard Grenell”. Sekretari Pompeo, thuhet në një deklaratë, inkurajoi Kosovën që të përqendrohet në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit”.
Turqia kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem
Dakordimi i palëve në Shtëpinë e Bardhë, përfshin edhe pajtimin e Kosovës dhe Izraelit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe që Kosova të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar ta lëvizë ambasadën e saj nga Tel-Avivi në Jerusalem vitin e ardhshëm.
Ministria e Jashtme e Turqisë e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.
“Turqia është në mesin e shteteve të para që e ka njohur Kosovën, i ka ofruar përkrahje të madhe për një kohë përpjekjeve të saj për njohjen ndërkombëtare. Por, nuk na duket e drejtë që ky proces të ndërtohet kundër ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim”, thuhet në deklaratën e ministrisë turke, në të cilën i bëhet thirrje Kosovës që të përmbahet nga vendimi për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.
Turqia i bëri thirrje edhe Serbisë të përmbahet nga zotimi për zhvendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem.
Zakharova “përçmon” fotografinë e takimit Trump – Vuçiç
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, nxiti reagimin e zemëruar të zyrtarëve serbë duke publikuar në llogarinë e saj në facebook fotografinë e presidentit serb gjatë takimit me presidentin Amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë duke e krahasuar me një skenë nga filmi “Pasionet e ulëta” (Basic Instict).
“Nëse jeni ftuar në Shtëpinë e Bardhë, ndërkaq karrigia është e vendosur sikur po ju marrin në pyetje, uleni sikurse në fotografinë numër dy, kushdo që jeni. Më besoni”, shkroi ajo.
Zyrtarë serbë e cilësuan të “turpshme” postimin e zëdhënëses ruse, duke kujtuar se Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë.
Presidenti serb, tha ndërkaq se "na takonte të luftojmë për një marrëveshje të rëndësishme në Uashington, të tregojmë guxim dhe vendosmëri. Serbia dëshiron të respektohet edhe në Uashington, edhe në Moskë, edhe në Bruksel dhe në Kinë".